Ergys Agasi, i arrestuar sot në Durrës, sëbashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë janë nën hetim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që manipulonte tenderët publikë të AKSHI-t.

Agasi dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.

“Ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se veprimet e shoqërisë ‘EA Solution’ sh.p.k përbëjnë një skemë tipike të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ku subjekti juridik është përdorur si një mjet për transferimin e ryshfetit në formë të kamufluar tregtare”, thuhet në dosjen e GJKKO-së, sipas së cilës “ndërkohë që ‘EA Solution’ ka prerë fatura në vlera jashtëzakonisht të larta drejt operatorëve ekonomikë (si ‘Fastech’, ‘First’, AESS, Soft & Solution etj.), hetimi ka dokumentuar se kjo shoqëri nuk zotëron asnjë kapacitet teknologjik apo burim njerëzor për të përmbushur objekte të tilla kontrate”.

Në dosje vlerësohet se “fatura tatimore është përdorur si instrument për të ‘legalizuar’ vlerat korruptive të paguara, duke e futur atë në qarkullimin financiar si shpenzim të zbritshëm për operatorët fitues”. E gjithë kjo skemë për hetuesit krijon “dyshime të arsyeshme të bazuara në prova mbi ekzistencën e elementëve të figurave të veprave penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, pastrimit të produkteve të veprës penale të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të strukturuar kriminal”.

Po ashtu, në dosje thuhet se një seri transaksionesh mes viteve 2023 dhe 2025, i kanë çuar Ergys Agasit mbi 9 milionë euro, në formë ryshfeti për ndikimin e tij për paracaktimin e tenderave të AKSHI-t. Sipas vendimit të Gjykatës për sekuestrimin e pronave dhe pasurive të tij por dhe të Ermal Beqirit dhe të tjerëve të lidhur me procedurat dhe garat në AKSHI, përmes shoqërisë së tij “EA Solution”, Agasi “ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare nga operatorët ekonomike "Soft & Solution" sh.p.k., në pronësi të Beqirajt,  “Fastech" sh.p.k. të Andis Papës dhe "First" sh.p.k. të Gëzim Hoxhës.

Në dosjen që Report Tv e disponon, thuhet se këto përfitime kanë qenë sipas hetimit pagesë ryshfeti si rrjedhojë e paracaktimit të operatorëve ekonomik fitues në procedura prokurimi të zhvilluara nga AKSHI.

Ndërsa EA Solution, nuk rezulton të ketë kryer asnjë shërbim konkret, Andis Papa dhe Gëzim Hoxha, i kanë qëndruar deklarimeve të dhëna më herët, se këto pagesa i kanë bërë në favor të shoqërisë EA Solution, pasi një fakt i tillë i është propozuar nga Ermal Beqiri.

Konkretisht rezulton se shoqëria EA Solution, ka përfituar nga opëratorët ekonomikë “Soft & Solution" shpk; "Fastech" shpk dhe "First" shpk, 855.204.527 lekë (afro 8.9 milion euro me kursin aktual) si dhe 470 mijë euro.

Në total është kredituar shuma prej 100 148 000 lekë, nga subjekti Soft & Solution, për periudhën 2023 - 2025.

Në total është kredituar shuma prej 220 831 200 lekë, nga subjekti Soft & Solution, për periudhën 2023-2025.

Në total është kredituar shuma prej 470 441 Euro, nga subjekti Soft & Solution, për periudhën 2023-2024.

Në total është kredituar shuma prej 123 629 664 lekë, nga subjekti First shpk, përgjatë vitit 2024.

Më datë 28.01.2025 është kredituar shuma prej 174 834 120 lekë, nga subjekti Fastech shpk.

Nga kqyrja e të dhënave në sistemin CATS rezulton se subjekti EA Solution shpk ka faturuar shitje ndaj subjektit Fastech shpk për periudhën Dhjetor 2024 - Shtator 2025, shumën prej 235 761 543 lekë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë


Lajmi kryesor:

DOSJA AKSHI/ Ergys Agasi arrestohet në Durrës, u ndoq për 40 km që nga Elbasani! Kapet në makinë me ish-policin në kërkim, i besuari i Ilir Prodës! VIDEO kur e prangosin