BERAT- Gjendet i pajetë në një nga rrugicat e tregut të Kuçovës, 76-vjeçari Faslli Rusta. Familjarët u njoftuan paraditen e sotme nga policia e Kuçovës, ku dhe kishin bërë denoncimin. Policia kishte konstatuar trupin e pajetë, të gjetur në qëndrimin ulur, pa shenja jete. Familjarët i thanë ’’Pa gjurmë’’ se pasi kishin identifikuar se bëhej fjalë për familjarin e tyre, trupi i pajetë u dërgua në morgun e spitalit, për t’ju nënshtruar ekzaminimeve mjeko ligjore si dhe për verifikuar shkaqet e vdekjes së Faslli Rustës.

I moshuari u denoncua si i humbur në ’’Pa gjurmë’’ të mërkurën e kaluar, ndërsa ishte zhdukur që më datë 22 shtator. Ai kishte dalë nga banesa në fshatin Goran. Pasi kishte marrë një taksi ai u nis drejt pazarit të qytetit të Kuçovës, atje ku humbi gjurmët. Momenti i fundit që tregoi lëvizjet e 76-vjeçarit ishin kamerat e sigurisë së një dyqani ku ai ishte parë kur kishte bërë rimbushje të telefonit.

Pas zhdukjes se Faslliut, blutë e qytetit morën në pyetje mjaft persona të cilët e kishin takuar ditën, kur 76-vjeçari humbi gjurmët. Zilja e telefonit ra pa pushim deri mëngjesin e ditës tjetër, por ai nuk u përgjigj më kurrë. Informacione që tregonin vendndodhje të ndryshme të Faslliut erdhën në ’’Pa gjurmë’’, por vetëm mëngjesin e sotëm u bë e mundur gjetja e trupit të pajetë.

76- vjecari, nuk kishte probleme të shëndetit mendor, por kishte kryer një ndërhyrje në zemër. Kjo ishte edhe frika me e madhe e familjarëve, të cilët e lidhën me zhdukjen tij, pa lënë asnjë gjurmë.