Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me 6 muaj e 10 ditë burg, derisa të shprehet Gjykata e Lartë.
Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila pasi dëgjoi qëndrimin e avokatit mbrojtës dhe të prokurorit të çështjes, vendosi të mos pranojë kërkesën.
Në shkallën e tretë të gjyqësorit, Goro ka bërë rekurs për vendimin e Apelit të Posaçëm, i cili la në fuqi vendimin e GJKKO për dënimin e Goros me 2 vite burg, ku për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u reduktua në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Pak javë më parë, Apeli shpalli vendimin e fajësisë për ish-kryebashkiakun dhe pas përllogaritjeve të ditëve të burgimit për këtë dosje, SPAK urdhëroi rikthimin e Goros në qeli për të kryer dënimin e mbetur. SPAK bëri përllogaritjen e kohës së vuajtur në paraburgim dhe doli në përfundimin se Goros i mbeten edhe 6 muaj e 10 ditë për të shlyer.
Jorgo Goro u arrestua më 23 mars të 2024-ës, ndërkohë që për dënimin e parë, ku u akuzua për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie, ai u lirua më 29 gusht të vitit të kaluar.
Komente










