Deputeti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit Belind Këlliçi ka folur për vendimin e DASH për të shpallur ‘non grata’ Sali Berishën, i cili është shprehur se për të është e pashpjegueshme se si 8 vjet pasi është larguar nga pushteti merret ky vendim ndaj liderit historik të PD.  Këlliçi tha se kjo është beteja e tij historike për dinjitet, pasi Berishës i atribuohen shumë suksese për Shqipërinë që janë arritur në kohën kur ai drejtonte vendin.

“Për mua është e pashpjegueshme se si 8 vjet pasi është larguar nga pushteti, nga drejtimi i vendit dhe PD merret ky vendim ndaj liderit historik të PD. Berishës i atribuohen sukseset dhe reformat që kanë bërë të mundur integrimin europian dhe euroatlantik të Shqipërisë. Përmendim këtu anëtarësimin në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, një ëndërr për të gjithë shqiptarët, rruga e Kombit. Janë vepra madhore, ku arkitekti i tyre ka qenë Sali Berisha. Ai do ta ndjekë këtë proces në tokë të huaj, por kjo është beteja e tij historike për dinjitetin. Por për të mbërritur te zoti Berisha, mendoj se duhet të ishte nisur së pari nga Rama, me superkampionët e korrupsionit për këto 8 vjet, pastaj mund të imagjinohej që të arrinte ky vendim për Berishën”, u shpreh Këlliçi në emisionin “Java në Dritare”.

Vendimi i DASH për të shpallur ‘non grata’ Sali Berishën dhe familjen e tij ka nxitur ish liderin historik të PD që të padisë sekretarin amerikan të shtetin Antony Blinken për shpifje dhe këtë do e bëj në Gjykatën Korreksionale të Parisit. DASH akuzon Berishën për akte korruptive që kanë minuar demokracinë dhe ka përdorur pushtetin për përfitime personale duke pasuruar familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij.