Bashkia e Tiranës i ka akorduar 150 milion lekë futbollistëve të klubit Tirana, të cilët këtë vit u shpallën Kampionë të Shqipërisë për herë të 26-ë në historinë e tyre. Kryebashkiaku Erion Veliaj priti sot çunat e ekipit, të cilëve u shprehu mirënjohjen që i sollën një tjetër kupë të rëndësishme qytetit të Tiranës dhe theksoi se kjo premio është përcaktuar vetëm për lojtarët që dhanë gjithçka në fushën e blertë.
“Urime për kampionatin! Jam shumë krenar për secilin prej jush, për punën, sakrificën, për familjet tuaja! Nuk besoj se ka vit më të mbarë për të sjellë Kupën e Kampionatit të Shqipërisë në Tiranë sesa ky vit ku Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kur të bëhet bilanci i Tiranës Kryeqytet Europian i Rinisë, kjo fitore do të jetë pjesë e arritjeve të këtij qyteti që rritet përditë, që punon përditë, që lufton përditë, por - siç është edhe ky rast, - edhe që fiton përditë”, tha Veliaj në pritjen për djemtë e ekipit bardheblu.
Ai siguroi se këtë herë, ndryshe nga viti i shkuar, lavdia, por edhe çmimi i Bashkisë së Tiranës, do të jetë vetëm për ata që punuan për titullin kampion.
“Ne e mbajmë fjalën e dhënë dhe në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak do të formalizojmë çekun prej 150 milionë lekësh si shpërblim për lojtarët dhe trajnerët. Nga lavdia e një ekipi përfitojnë shumë njerëz, por dua të pranojmë se kur shkojmë në fushë, kur shkojmë në stadium, na emocionojnë ata që luajnë dhe që stërvisin lojtarët. Ndaj, kam vendosur që këtë vit të bëjmë një korrektim të shpërblimit, i cili do të shkojë ekskluzivisht vetëm për ata që kanë kontribuar në lojë dhe në fushë sepse besoj që kështu është më e ndershme. Nuk jam ndjerë mirë, - duhet ta pranoj këtë, - kur pashë se një pjesë e shpërblimit që dhamë vjet devijonte në familjarët e aksionarëve të klubit. Kjo nuk funksionon! Këto nuk janë paratë e mia personale, por janë të taksapaguesve të Tiranës”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se shpërblime të tilla do të jepen për të gjitha skuadrat e kryeqytetit, të cilat do të sjellin një kupë në Tiranë.
Nga ana tjetër, Veliaj shtoi se nuk mund të ndodhë që të kemi klube futbolli, të cilat punojnë në të zezë dhe me llogari të bllokuara, borxhe e gjyqe. “Kjo duhet zgjidhur njëherë e mirë, ndaj kur i futem betejave në sport, nuk i futem për një emër të përveçëm. Nuk është çështje emrash, por parimesh. Në qoftë se dikush nuk punon dot në të zezë në fasoneri a në piceri, atëherë as në futboll nuk duhet të punojë njeri në të zezë. Sigurimet shoqërore duhen paguar. Ndaj, duhet t’i çojmë deri në fund këto beteja. Është e mjerueshme sot për Federatën Shqiptare të Futbollit, që të mundemi në shtëpinë tonë nga ekipe modeste, ndaj kjo duhet parë, edhe ku shkojnë këto financa”, tha ai.
Veliaj tha se në Tiranë s’mund të investojë vetëm bashkia për futbollin. Ai theksoi se megjithatë, investimet për sportin do të vijojnë, siç janë fushat te pishinat te Diga e Liqenit, apo hapja e palestrave në shkollat e reja, fusha e Laprakës dhe ato në Kombinat, të cilat janë në dispozicion të fëmijëve të talentuar për t’u bërë dikushi në futboll.