Largimi me gomone drejt Italisë e 11 emigrantëve të huaj, të cilët rrezikuan të mbyteshin pranë ishullit të Sazanit, ishte i organizuar nga një egjiptian, po ashtu i pranishëm në mjetin lundrues në momentin e shpëtimit nga Forcat Delta dhe Policia Kufitare.

Blutë e Vlorës bëjnë me dije se 43-vjeçari nga Afganistani kishte organizuar, nga Greqia, futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të 10 të huajve, me qëllim transportimin e tyre më pas drejt Italisë. Gomonen e kishte marrë në Seman, Fier, në vendin që i ishte dërguar si lokacion nga një shqiptar, për të cilin policia po punon për ta identifikuar.

 43-vjeçari nga Afganistani është arrestuar, ndërsa janë vënë nën hetim 10 emigrantët e tjerë nga Haiti, Afganistani, Bangladeshi, Pakistani dhe Liberia.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të shpejta dhe profesionale të kryera në lidhje me ngjarjen e djeshme pranë ishullit të Sazanit, arrestuan në flagrancë për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", shtetasin M. E., 43 vjeç, nga Afganistani, i cili ndodhej në gomone.

Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror", 10 shtetasit e tjerë nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti, që u gjetën në bordin e gomones.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi M. E., në bashkëpunim me një shtetas shqiptar ende të paidentifikuar, kishte organizuar nga Greqia futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të këtyre shtetasve, nëpërmjet kufirit me shtetin grek. Më pas, në Seman të Fierit, ai kishte marrë gomonen e lënë në dispozicion nga shtetasi shqiptar dhe do të transportonte drejt Italisë 10 emigrantët nga vendet e treta.

Strukturat hetimore të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e shtetasit shqiptar të përfshirë, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë tentativë për kontrabandimin e emigrantëve nga vendet e treta drejt Italisë.

------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.