Pashko Ujka, ish deputet dhe ish-kryetar i Velipojës, u vra me armë tip silenciator në sy të vëllait dhe bashkëshortes teksa po shëtiste në lulishte pranë Kisha Ortodokse në qendër të qytetit verior. Vrasësi besohet se ka vepruar i vetëm dhe ka qëlluar 64-vjeçarin me një plumb pas shpine dhe është larguar nëpër rrugicat e pallateve, ndërsa policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë por pa arritur ta identifikojë atentatorin. Bashkëshortja gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se në fillim nuk e ka kuptuar se e kanë vrarë por ka menduar se ka pësuar infarkt, pasi Ujka prej vitesh vuante nga sëmundje të rënda, si skleroza dhe parkinsoni.  Ai trajtohej në Gjermani dhe kishte pak muaj që ishte kthyer në Shqipëri.

Burime për Report Tv thanë se pista kryesore e hetimeve është ajo e konflikteve të pronësisë. Konflikte, këto të mbartura nga koha kur Ujka ushtronte detyrën e kryetarit të komunës së Velipojës. Grupi i hetimit beson se Ujka është ekzekutuar për shkak të detyrës që ka mbajtur si kryetar i Komunës së Velipojës në vitet 2011-2015. Gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i komunës Velipojë, Ujka dhe vartësit e tij kanë qenë në hetim nga prokuroria e Shkodrës, për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Asokohe janë ndarë dhjetëra hektarë me Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), dokumente këto të falsifikuara por që shërbenin për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Velipojës. Por akuzat e ngritur ndaj tij nuk u provuan, kësisoj dosja u mbyll.

Pashko Ujka njihej në Shkodër dhe si biznesmen! Pas karrierës në politikë dhe administratë, ai kishte ndërtuar disa pallate në Velipojë dhe Shkodër, përfshirë dhe pallatin ku banonte vetë. Ndaj burime nga grupi hetimor thanë se po hetohen edhe pista të tjera si borxhet në biznes apo konfliktet e mundshme të të birit, Emanuel Ujka.

Por kush ishte Pashko Ujka?

Pashk Ujka, gjatë legjislaturës 2005-2009, ishte deputet i PDK-së në parlamentin Shqiptar, madje ishte kryetar i këtij grupi parlamentar dhe pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009, ai doli pjesë e partisë Demokristiane që drejtohej nga Nikollë Lesi. Në zgjedhjet lokale 2011, Ujka kandidoi po nën siglën e PDK-së i mbështetur nga PS-ja në koalicionin për të ardhmen. Ujka ka shërbyer edhe si kryetar i komunës së Velipojës në vitet 2011- 2015 nën siglën e PS.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:44
Vrasja e Pashko Ujkës/ Pistë hetimi, konflikti për pronat dhe konfliktet e të birit

Konflikti për pronat dhe konfliktet e të birit janë dy nga pistat që po ndiqen nga hetuesit për ekzekutimin e ish kreut të Komunës Velipojë dhe ish deputetit Pashko Ujka mbrëmjen e djeshme. 

Ekzekutimi është bërë nga një person, i cili është kapur nga një kamera sigurie në zonë duke kaluar mes pallateve, megjithatë për shkaka të errësirës nuk shikohet pamje e tij por vetëm silueta.

Pashko Ujka është qëlluar me një  plumb në shtyllën kurrizore, ndërsa policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të zbardhur dinamikën dhe autorin e ngjarjes.

Ora 11:23
U vra me silenciator, bashkëshortja e Pashko Ujkës mendoi se pësoi atak kardiak! Gëzhoja ende nuk është gjetur! Familjarët: S’kishte borxhe

 

Familjarët e Pashko Ujkës, ish-deputeti që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme nga një atentat mafioz në Shkodër, mohojnë që ai të ketë pasur borxhe, apo konflikte me ndonjë njeri për shkak të detyrës si ish-deputet apo ish-kryetar i bashkisë së Velipojës.

Ndërkohë ende në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë. 64-vjeçari është qëlluar vetëm me një plumb, dhe bashkëshortja e tij që ishte ngjitur me Ujkën, ka menduar fillimisht se ka pësuar atak kardiak, por më pas e ka parë të mbuluar me gjak dhe ka lajmëruar ambulancën për ta dërguar në spital.

Pashko Ujka, vuante nga sëmundja skleroza multiple dhe me parkinson. Ai dilte shëtitje në Shkodër për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe nuk lëvizte në distanca të mëdha. Madje ai së fundmi ishte kthyer nga Gjermania, pasi kishte shkuar që të kurohej atje. E vetmja provë në duart e prokurorisë së Shkodrës janë kamerat e sigurisë në zonën përreth lulishtes, ndërsa autori nuk është identifikuar.