Margarita Bardhi prej 19 vitesh merr pjesë në përvjetorin e krijimit të policisë së shtetit, edhe pse asnjë ditë nuk ka qenë pjesë e uniformave blu. Kujtimi i bashkëshortit të saj, ish-oficerit të komisariatit të Fierit, Llambi Bardhi, që u vra në krye të detyrës më 29 korrik 2005 duhet mbajtur me krenari, siç i takon Dëshmorit të Atdheut. Mes lotësh ajo kujton ditën kur i shoqi ra kur në krye të detyrës, teksa ishte duke zgjidhur një konflikt pronësie mes fqinjësh në Libofshë. Llambi Bardhi shkoi t’i sekuestrojë armën e gjahut njërit prej të përfshirëve për të shpëtuar jetë, por u qëllua pabesisht, duke iu shtuar panteonit të të rënëve në krye të detyrës.
“Duket sikur ka ndodhur dje. Djali atë ditë kishte provimin e fundit sepse ishte në Akademinë Ushtarake. Vonoi dhe ne u shqetësuam, i binim telefonit. Telefoni binte po nuk hapej, por gjallë në botë nuk ka shkonte mendja kështu. Sikur televizori kishte një kasetë brenda, sa e shtypi vajza televizorin: Një lajm tragjik, inspektori Llambi Bardhi ka ndërruar jetë, është vrarë. Imagjino, 2 vajzat dhe unë vetëm, u shembëm, ishin në këmbë. Pastaj nuk mbaj mend asgjë sepse u vërsulën të gjithë”, thotë Bashkëshortja Margarita Bardhi.
Tre fëmijët i rriti mes vështirësive por kërkon më shumë vëmendje nga Qeveria, si vlerësim të sakrificës së pamatshme që bashkëshorti i saj bëri për shtetin ligjor.
“Është shumë e dhimbshme sepse nuk ka më respekt të uniformës. Puna e tyre është sa e bukur, por edhe shumë e vështirë, prandaj them që ta ruajnë uniformën e tyre, ta respektojnë”, vijon ajo.
Vëllai Jovani apelon për dënime më të ashpra ndaj autorëve që qëllojnë mbi uniformat blu.
“Drejtësia nuk veproi ashtu siç duhet. E dënoi me 22 vjet burg, një kriminel që vrau njeriun, që vrau policin. Duke dalë një term që është i gabuar sot e kësaj dite, gjykim i shkurtuar, për të shpëtuar nga burgimi i përjetshëm, jo nga vdekja se nuk ka më vdekje”, thotë ai.
Dëshmori i Atdheut, Llambi Bardhi ishte më i vogli i familjes, mbeti jetim që 5 vjeç, rritur mes dashurisë së 6 motrave e vëllezërve më të mëdhenj në moshë. 19 vjeç nisi studimet në shkollën e policisë dhe u emërua tre vjet në Elbasan e më pas në Fier. 5 vite pas vdekjes, Bardhi u shpall “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa në 2015-ën, në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Fier, u zhvillua një ceremoni madhështore përkujtimore në nder të tij.