ROSKOVEC - Kosta Plaku dhe Belere Plaku janë përcjellë sot mes lotësh dhe dhimbjes në banesën e fundit. Bashkëshortët u vranë me armë gjahu një ditë më parë në banesën e tyre nga ish-dhëndri në fshatin Vidhisht të Roskovecit.
Kosta Plaku, 58-vjeç ndërroi jetë menjëherë, ndërsa gruaja e tij vdiq në spital disa orë më vonë, pavarësisht ndihmës mjekësore. 35-vjeçari Nertil Buzi, i cili kishte ndryshuar emrin në Refit pasi vrau ish vjehërrit mori peng ish-të fejuarën e tij Rozalinda Plaku, 24-vjeçe.
Me ndërhyrjen e policisë dhe RENEA-s, Buzi liroi ish-partneren, ndërsa vetë vrau veten pasi qëndroi i ngujuar në makinë për disa orë.
Ndërkohë, ceremonia mortore për autorin e ngjarjes është planifikuar të zhvillohet paraditen e së dielës. Ky vendim është marrë për të shmangur çdo përplasje apo tension, pasi të dyja familjet jetojnë në të njëjtën zonë dhe ceremonitë zhvillohen në të njëjtat varreza.
Të rinjtë kishin qenë të fejuar para disa vitesh, por lidhja ishte ndërprerë nga Rozalinda. 24-vjeçarja vijonte studimet për infermieri në Tiranë, ndërsa autori ishte kthyer nga emigracioni pas disa vitesh në Angli. Familjarët pretendojnë se ai nuk e kishte pranuar ndarjen dhe e kërcenonte vazhdimisht.
Ndërkohë familjarët e autorit japin një tjetër version për konfliktin. Sipas tyre, përplasja mes çiftit lidhet edhe me një shumë parash që Buzi pretendonte se ia kishte dërguar ish-partneres gjatë kohës që jetonte në Angli.
Emri i Nertil Buzit është përmendur në vitin 2022 nga mediat britanike, ku thuhet se është mbajtur peng nga disa bashkëkombës për një borxh prej 400 mijë paund.
Komente











