Qetësia dhe paqja që sjellin qoftë edhe disa orë pranë këtyre oazeve, janë si balsami për të gjithë ata që e dashurojnë natyrën. Është ky një kuptim i plotë i fjalës amerikane "Laketime" që përshkruan gjithashtu dashurinë e njerezve ndaj liqeneve, duke iu referuar më së shumti anglosaksonëve, atyre që e kanë shndërruar në një mit, ujin e ëmbël. Sidomos kur bëhet fjalë për pushime gjatë vjeshtës, në ngjyrat e trishtimit dhe të qetësisë. Ëilliam Ëordsëorth, antar i grupi " Lake Poets" shkroi një nga librat më të bukur të letërsisë së udhëtimit, "Guide to the Lakes" që u publikua në vitin 1810: "Peizazhi është i pakrahasueshëm, i larmishëm, i bukur për nga harmonia e ngjyrave. Gjen aty gjelbërimin më të butë, zverdhjen e artë të pemëve".
Në letërsinë tonë, është Lasgush Poradeci, një ndër poetët tanë më të njohur, që e ka shndërruar Liqenin e Ohrit në një oaz poetik denjësisht të konkurueshëm me ccdo shkrim tjetër mbi liqenet. Asnjë liqen tjetër në Shqipëri nuk arrin të ketë këtë status që u ngrit falë penës mjeshtërore të poetit pogradecar në një piedestal të përjetshëm duke shkruar vargje si:"Mbi zall te pyllit vjeshtarak/Dremit liqeri pa kufi/Ai ndaj fundesh u përflak/Posi me zjarr e me flori". Shumë vargje të tjera mund të sjellë ndërmend secili prej jush.
Por duke iu kthyer kohëve tona ia vlen të ndajmë me ju lexues përjetimin e fortë të regjisorit të njohur Mevlan Shanaj pranë liqenit të Ohrit. Reflektimi dhe sugjerimi i tij duhet marrë në konsideratë nga të gjithë ata që duan të largohen nga rrëmuja dhe stresi i jetës së përditshme.
Ka akoma edhe pak kohë nga vjeshta. Nëse parashikimi I motit ofron një kohë të bukur dhe të thatë në fundjavë mund të zgjidhni nga një liqenet më të afërt, për të kaluar disa orë paqeje dhe pushimi ndryshe. Secili prej liqeneve nga jugu në veri në vendit tonë, ofron një mundësi për të zbuluar kënaqësinë e pushimit pranë ujërave të ëmbla. Ja një guidë që sjell vlerat natyrore dhe historike që mund të zbuloni gjatë një pushimi në bregun e një liqeni.
Prespa , mes lashtësisë dhe bukurisë natyrore
Dy liqenet e Prespës janë një joshje më vete. Më së shumti Prespa e Madhe e cila është një gjendje shumë të mirë sesa simotra e saj e vogël. Të dy liqenet janë pjesë e Parkut Kombëtar "Prespa" me një sipërfaqe prej 27.750 hektarë por që ndahet mes Shqiperise, Greqise dhe Maqedonise. Parku Kombëtar i Prespës ndodhet në verilindje të Korçës (45km).Brigjet e saj janë shkëmbore të lartë dhe pjesërisht rëre. Fauna e këtij vendi është e pasur e përfshin shpendin e rrallë si pelikani i bardhë. Prespa është një vend turistik i mrekullueshëm, uji i këtij liqeni është i njohur për pastërtinë e tij (20 m thellësi i dukshëm). Prespa shpalos një bukuri natyrore dhe tërheqëse për shumë vizitorë si vendas ashtu e të huaj si në vere e në dimër. Gjatë një fundjave në këtë park ju mund të sodisni ishullin e Maligradit. Gjendet në Liqenin e Prespës së Madhe, 900 metra mbi nivelin e detit. Ndërtohet nga shkëmbinj gëlqerorë dhe përbën një mbetje të fundosjes së madhe të grabenit të Prespës. Në bregun e tij perëndimor ndodhet shpella e kishës, e cila për formën e veçantë dhe të çuditshme, u quajt vend i shenjtë. Aty është ndërtuar një kishë e vjetër e shekullit XIV. Ishulli ka gjatësi rreth 800 metra e gjerësi 200 metra dhe rrethohet nga shpate shumë të pjerrët, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij. Në këtë ishull ka bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, shpella e zgavra karstike. Prej kohësh banorët e Prespës shkojnë aty me varka për të kryer shërbesat fetare. Ishulli mund të vizitohet duke ndjekur itinerarin Korçë-Zvezdë-Liqenas. Prej Liqenasit shkohet me varkë në ishull.
Gjatë fundjavës suaj në Prespë ju mund të vizitoni edhe Zgavrëv e Zaverit. Ajo ndodhet në bregun perëndimor të Liqenit të Prespës së Madhe, në afërsi të fshatit Goricë e Vogël. Eshtë një zgavër e madhe karstike, ku zë fill një nga depërtimet e shumta nëntokësore të ujit të Liqenit të Prespës së Madhe drejt Liqenit të Ohrit. Është formuar nga proçesi i karstit në kryqëzimin e dy thyerjeve tektonike. Ka vlera të veçanta shkencore sidomos gjeologjike e gjeomorfologjike, didaktike dhe turistike. Vizitohet sipas rrugës automobilistike Korçë-Goricë.
Liqeni i Shkodrës, krap dhe natyrë piktoreske
Liqeni Shkodrës një ndër pasuritë më të mëdha të natyrës shqiptare. Liqeni i Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Gadishullit të Ballkanit. Ai njihej në lashtësi si Palus Labeatis. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këtu jeton edhe pelikani kaçurrel (nesiti, gemi), shpendi më i madh notues i Evropës. Veçanti e liqenit është lotosi (kasarani), bimë me frut që hahet dhe që rritet vetëm këtu. Është bimë e çuditshme, edhe pse rrënjën e ka në ujë, nuk bën frut në qoftë se gjatë verës nuk bie shi. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Ndërsa në skajin jug-lindor shtrihet Shkodra, nga ku merr edhe emrin. Bregu i tij është 11 milje dhe shtrihet nga lindja në perëndim. Pranë liqenit është Taraboshi. Pak para derdhjes së Drinit në Bunë, ndodhen 10 dajlane për gjuetinë e peshkut; më të famshmit janë krapi, qefulli, ngjala dhe blini. Ndaj nuk këshillohet të largoheni nga ky liqen pa shijuar recetat tradicionale sidomos të krapit të Shkodrës. Vlerat turistike të liqenit janë të mëdha, pasi aty ka një harmonizim të përkryer të terreneve malore, fushore e ujore, që i japin kësaj zone një pamje piktoreske. Zonat turistike të Shirokës dhe Zogajt, si dhe vendet piktoreske si Bregu i Ranës, Bishtiqendia, Stërbeqi, Grili, Shegani etj., janë cilësuar si vende të rralla. Ana lindore e liqenit është e pasur me lloje të shumta bimësh ujore. Ato gjenden nga bregu dhe deri në 3 m, ndërsa në vende të ndryshme gjenden livadhe nënujore, të përbëra kryesisht nga algat e gjelbra. Në liqen ekzistojnë rreth 700 lloje mikroalgash dhe 250 lloje algash. Ndër bimët ujore me gjethe që dalin mbi ujë dhe gjethe notuese, janë kallamishtja, zunkthi, zambakët e ujit të bardhë dhe të verdhë, zhavori etj., që gjenden 1 m afër bregut. Në sipërfaqe të vogla gjenden drurë të tillë si shelgu, plepi, frashëri etj. Në zonat pranë liqenit ndodhen pylli i Rragamit, pylli i Dobraçit, pylli i Zabelit ku mund të admironi vjeshtën me të gjitha larminë e saj.
Liqenet artificiale të Drinit
Mund të shfrytëzoni edhe liqenet artificiale për një fundjavë. Edhe këto ofrojnë një panoramë të mrekullueshme për tu zbuluar. Kështu gjatë një udhëtimi nga Komani në Fierzë , dy ujëmbledhës që janë krijuar nga ndërtimi i hidrocentraleve, jo vetëm që do të shijoni florën dhe faunën e këtyre dy qyteteve por edhe do të keni mundësinë të kundroni shpate të tëra luginas apo shkëmbinj që rrallë mund t'i gjeni në zona të tjera. E gjitha kjo duke prenotuar një udhëtim me traget. Liqeni artificial i Fierzës është krijuar në shtratin e lumit Drin në vitin 1978. Ai është i pasur me peshq të llojeve të ndryshme. Pas përfundimit të digës dhe mbushjes së bazenit me ujë, fauna e Liqenit të Fierzës u shtua me lloje të ndryshme peshqish, si ballëgjeri, krapi e luçiperka që u hodhën si rasatë dhe gjetën një mjedis shumë të përshtatshëm për t'u shumuar e ushqyer.
Edhe Liqeni i Komanit, që ndodhet 30 km larg Shkodrës, është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin. Rreth liqenit ka male që arrrijnë deri në 1200 metra mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike pasi pranë tij gjendet një varrezë e shekullit 6-8 të erës sonë. Gjatë udhëtimit me traget mund të admironi edhe liqenin e Vaut të Dejës, i cili shquhet gjithashtu për bukurinë e tij natyrore dhe është gjithashtu i formuar nga ujërat e lumit Drin.
(Shkrimi u publikua ne suplementin FUNDJAVA te Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)