Aleksandër Vuçiç fiton Perëndimin me premtimet për 'arin e bardhë', por humbet popullaritetin

Aleksandër Vuçiç fiton Perëndimin me premtimet për 'arin e bardhë', por humbet popullaritetin

Orvatjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për t’u bërë lideri i preferuar i Ballkanit i Brukselit po japin efekt të kundërt.

Vuçiç ka mbyllur një marrëveshje për të furnizuar Bashkimin Evropian me litiumin që i nevojitet për të fuqizuar flotën e automjeteve elektrike të së ardhmes.

Por, me këtë vendim Vuçiç ka rizgjuar një lëvizje masive kundër një projekti të madh minierash që ka marrë bekimet si nga Brukseli, ashtu edhe nga Berlini. I frikësuar, presidenti serb akuzon protestuesit që u mblodhën me dhjetëra mijëra më 10 gusht për organizimin e një komploti që synon rrëzimin e tij.`

Është pjesë e qasjes hibride për kryerjen e revolucioneve me ngjyra”, u tha Vuçiç gazetarëve, duke shtuar se paralajmërimi për një grusht shteti të mundshëm bazohej në informacionin e marrë nga Rusia – padroni historik i serbëve.

Është një paradoks: Duke u kthyer nga Perëndimi, të cilin e ndihmon me kalimin drejt të ardhmes së gjelbër, Vuçiç, thonë kritikët e tij, ka dënuar 7 milionë banorët e Serbisë me shfrytëzim të mëtejshëm ekonomik dhe ndotje të mjedisit që vetëm i largon standardet perëndimore të demokraCisë dhe llogaridhënien jashtë mundësive.

“Ne po bëhemi një koloni e të gjitha fuqive të mëdha” tha Nebojsha Petkoviç, udhëheqës i një proteste nga Gornje Nedeljice, fshat në Serbinë veriperëndimore, pranë vendit ku është planifikuar miniera kryesore.

Për gati dy dekada, Petković dhe fqinjët e tij panë se si gjeologë dhe kërkues u dyndën në brigjet e lumit Jadar. Atje, gjetën depozita të pasura të “arit të bardhë” që, sipas disa vlerësimeve, mund të furnizonin deri në 90 për qind të litiumit që i nevojitet Evropës për të përshpejtuar kalimin drejt transportit pa emetime gazrash.

Nëse në fillim nuk keni sukses…

Gjigandi anglo-australian i minierave Rio Tinto ishte ndër kërkuesit e hershëm të litiumit në Serbi. Rio Tinto mori leje për të zhvilluar depozitën e Jadarit në vitin 2017 – pesë vjet pasi Vuçiç erdhi për herë të parë në pushtet – po licenca u revokua pas një valë protestash dy vjet më parë.

Megjithatë, nacionalisti i linjës së ashpër nuk hoqi dorë kurrë nga projekti. Dhe, pavarësisht nga dyshimet mbi kredencialet e tij demokratike, BE-ja ka besuar – dhe e ka ndihmuar – atë për ta realizuar projektin.

Jadar mban disa nga rezervat më të mëdha të litiumit në Evropë. Ministria e Minierave dhe Energjisë vlerëson se miniera, që pritet të hapet në vitin 2028, do të prodhojë 58,000 tonë metrikë deri në vitin 2030 – mjaftueshëm për të vendosur bateri në 1.1 milionë automjete elektrike. Rio Tinto ka ndarë 2.55 miliardë dollarë (2.23 miliardë euro) për zbatimin e projektit.

Entuziazmi i BE-së nuk ndjehet tek njerëzit në Serbi, të cilët mendojnë se mbështetja europiane ka inkurajuar tek Vuçiç tendencat e tij autokratike. Besimi i publikut në Bashkimin Europian ka rënë, sipas analistëve, pasi premtimet e liderëve të bllokut për të promovuar vlerat demokratike në unazën e gjatë të kandidatëve për anëtarësim janë gjithnjë e më të zbrazëta.

“BE po tregohet hipokrite, sepse ata po mbështesin një diktator në Serbi që bllokoi gjyqësorin, mediat dhe gjithçka tjetër, por kjo është e pranueshme për ta sepse ai do të japë litiumin për të cilin ata kanë aq shumë nevojë”, tha Petkoviç për POLITICO.

Vetë qeveria serbe nuk iu përgjigj kërkesës për koment për këtë histori.

Manuali i Kremlinit

Në korrik, Vuçiç mirëpriti me madhështi kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe shefin e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së Maroš Šefčovich për të nënshkruar një marrëveshje që zyrtarizon mbështetjen e BE-së për minierën, së bashku me disa memorandume të nënshkruara me prodhuesit kryesorë të automjeteve si Mercedes-Benz dhe Stellantis.

Vetëm dy muaj më parë, një mirëseardhje edhe më e detajuar iu bë presidentit kinez Xi Jinping. Me qindra serbë u mblodhën për ta përshëndetur, duke valëvitur flamujt kinezë dhe duke i kënduar “miqësisë së hekurt” gjatë udhëtimit të tij të parë në Evropë që nga pandemia e koronavirusit. .

Megjithëse mund t’i befasojë vëzhguesit naivë, të dyja ngjarjet mishëruan qasjen e Vuçiç ndaj politikës së jashtme.

Dyert e mirëseardhjes janë të hapura për të gjithë ata që vijnë për të investuar – si fabrika e bakrit Zijin në pronësi kineze në Bor apo Rusia që zotëron mbi 50 për qind të interesave të naftës dhe gazit të Serbisë – për sa kohë që qëndrojnë jashtë çështjeve të saj të brendshme.

Sipas Aleksandar Gjokiç, një ekspert i marrëdhënieve Serbi-Rusi, Moska është e lumtur të mbështesë pretendimet e Vuçiçit për grusht shteti, pavarësisht se çfarë marrëveshjeje ai arrin me Perëndimin, përfshirë edhe etiketën e preferuar “revolucioni me ngjyra” për të delegjitimuar protestat kundër projektit të Jadarit.

Nëse Rusia pretendon se një revolucion me ngjyra është duke u zhvilluar në Serbi, Vuçiç “mund ta pozicionojë veten si luftëtari trim, kundër Perëndimit të keq” shpjegoi Gjokiç.

Është ironike, të mendosh se protestuesit mblidhen kundër minierës së litiumit, pra kundër një projekti që Perëndimi e dëshiron vërtet. (Ambasadorët e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Serbi kanë shprehur gjithashtu mbështetje për marrëveshjen.)

“Mesazhi i Vuçiçit për këtë ka qenë i ndërlikuar. Minierën e Rio Tintos e quajti një dëshmi e hapave të mëdhenj që ka bërë Serbia për t’u afruar me Perëndimin”, vazhdoi Gjokiç.

“Megjithatë, kur njerëzit protestojnë kundër minierës, ai pretendon se është një grusht shteti i mbështetur nga Perëndimi.”

S‘ka asnjë motiv politik”

Në Serbinë e Vuçiçit, shumë pak arrin deri në nivelin e valëve kombëtare, nëse ai nuk e ka miratuar mesazhin paraprakisht.

Demostrata e fundjavës u përmend vetëm 24 sekonda në lajmet e mbrëmjes të televizionit publik – i cili zakonisht i injoron protestat antiqeveritare.

Nëse kërkesat e protestuesve do të pasqyroheshin në media, publiku do të kuptonte se shqetësimet e tyre janë kryesisht mjedisore.

“Këto protesta janë politike, në kuptimin që edhe mjedisi është çështje politike. Por përveç kësaj, nuk ka asnjë motivim politik,” tha Žaklina Živkoviç, një aktiviste e Pravo na vodu (E drejta për ujë), një grup që bën fushatë për ujë të pastër në lumenj.

“[Ne jemi] të shqetësuar për mjedisin dhe për të ardhmen e Serbisë, sepse nuk duam të bëhemi një vend minierash,” tha ajo, duke treguar ndotjen e madhe nga operacionet e minierave të drejtuara nga Kina dhe, më parë, nga epoka jugosllave e industrisë së rëndë.

Për të anashkaluar errësirën mediatike me të cilën përballen, protestuesit i janë drejtuar bllokimit të rrugëve dhe autostradave. Në këtë mënyrë, qytetarët që mund të mos shohin se çfarë po ndodh në lajme të detyrohen fizikisht të ndalojnë dhe të mësojnë për efektet e minierës.

Frika është se acidet gërryese të nevojshme për të ndarë litiumin nga përbërësit e tjerë mund të rrjedhin, duke penguar rritjen e bimëve dhe duke dëmtuar ekosistemet.

“Ne duam të ruajmë atë që kemi dhe duam të kemi institucione që mund të garantojnë ajër të pastër, ujë të pastër dhe një mjedis të pastër” vazhdoi Zhivkoviç, duke theksuar se “rreth 1.5 milion njerëz në Serbi nuk kanë qasje në ujë të pastër.”

Fushata e frikës

Rio Tinto ka ndërmarrë një fushatë të gjerë për të qetësuar ankesat mjedisore.

“Ne respektojmë të drejtën për të protestuar, por ajo që po shohim këtu është një fushatë frike – dezinformim i hapur dhe i qëllimshëm duke thënë se ne jemi një minierë e hapur, se do të helmojmë furnizimet me ujë, se bujqësia nuk do të vazhdojë… çdo gjë që mund të krijojë frikë”, tha Chad Bleëitt, drejtori menaxhues i projektit Jadar, për POLITICO në një intervistë.

Rio Tinto mohon akuzat e aktivistëve dhe pohon se miniera nëntokësore do të jetë plotësisht me ligjet mjedisore të BE-së dhe Serbisë. Në qershor, kompania publikoi draftet paraprake të studimeve të vlerësimit të ndikimit në mjedis që mbulojnë minierën, një fabrikë përpunimi sipërfaqësor dhe një landfill të mbetjeve industriale.

“Ne kemi qenë në këtë projekt për 20 vjet dhe kemi shpenzuar 600 milionë euro për të. Ky është projekti më i studiuar i litiumit në botë,” argumentoi Bleëitt.

Bleëitt u bëri jehonë disa prej deklaratave të bëra nga Scholz dhe Šefčovich, që miniera do të ndërtohet dhe do të funksionojë jo vetëm sipas standardeve të BE-së, por edhe sipas “standardeve më të larta në botë”.

Por aktivistët janë të vendosur të rrisin presionin. “Ata thonë se sakrifica ia vlen dhe ne nuk pajtohemi”, tha Zhivkoviç.

 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Drejtori i Policisë në Shkodër: Pronarët e një hoteli në Velipojë vranë dy të rinjtë pas një konflikti në lokal rreth 2 muaj më parë

Drejtori i Policisë në Shkodër: Pronarët e një hoteli në Velipojë vranë dy të rinjtë pas një konflikti në lokal rreth 2 muaj më parë