Udhëtimi i Hyjneshës 5000-vjeçare nga Parisi në Tiranë e SHBA

 Udhëtimi i Hyjneshës 5000-vjeçare nga Parisi në Tiranë e SHBA

Ekspozita e skulptores Arjeta Miftari

Dhjetë skulptura të artistes nga Kosova, Arjeta Miftarit, janë prezantuar në Muzeun Historik Kombëtar përmes ekspozitës së titulluar “Rrugëtimi”. Ikona e trashëgimisë kulturore të Kosovës “Hyjnesha në Fron”, sipas skulptores, pas ekspozitave në Prishtinë, Paris e Berlin, “nuk mund të mos vinte edhe në Tiranë”.

“Në bazë të ekspozitës sime është vërtetë simboli i Hyjneshës në fron, figurë mitologjike jona, zbuluar nga arkeologët kosh më parë, por këto që kam sjellë në Tiranë nuk janë hyjneshat e njëjta me ekspozitat që i kam mbajtur në Paris e Berlin, sepse ato janë shitur. Për ekspozitën e Tiranës unë kam punuar skulptura të reja, të cilat nuk janë ekspozuar më parë”, thotë Miftari. Ndryshe nga ekspozitat e tjera,  në ekspozitën e Tiranës janë shfaqur 5 hyjnesha shtatzana, për të simbolizuar pjellorinë e gruas.

“Këtë herë i kam punuar hyjneshat duke i sjellë në forma të ndryshme. Në katër apo pesë prej tyre kam paraqitur nënën shtatzënë, pra pjellshmërinë e gruas. Ky motiv vjen meqë edhe unë i përkas kësaj gjinie dhe ndoshta në të ardhmen e kam dëshirën të bëhem nënë, e ndoshta edhe do të bëhem, ”, është shprehur Miftari.

Foto nga ekspozita e skulptores Arjeta Miftari

Ndërsa kuratori i kësaj ekspozite Skënder Boshtrakaj shprehet se “Statuja të një figure femërore, qe është bërë një figurë ikonë skulpturore e artit parahistorik në Kosovë; e njohur si Hyjnesha në Fron, kjo figurë e ka inspiruar një seri të veprave të skulptores Arjete Miftari, si analizë të vetvetes, shoqërisë dhe të njeriut në përgjithësi.” Sipas tij është i gjallë sot në botë, debati nëse konflikti mes gjuetarëve dhe kultivuesve ishte me të vërtetë konflikt midis tyre apo ishte një konflikt midis kulturave, dominuar nga meshkujt dhe atyre dominuar nga femra. “Nëse këto hyjnesha janë interpretime “teologjike”, dhe thonë diçka më shumë për gjinitë, identitetin gjinor, apo rolin e femrës në shoqërinë njerëzore 5000 vjet më parë, janë thjesht rrëfime të historive personale apo janë shqetësime artistike të skulptores për të ardhmen, unë nuk mund ta them me bindje, por “apelin magnetik”- për reflektim, që ato e ushtrojnë, e lexojmë me saktësi. Duke u pyetur se, pse tregohet historia, kam filluar të besoj në të drejtën e secilit, të bënë interpretimin e vet, ndërsa artistja si duket këtë të drejtë e merr si detyrë, si mision.”, shprehet Boshtrakaj për Shqiptarja.com. Ndërkohë, titulli i ekspozitës rrugëtimi është zgjedhur nga vetë autorja Arjeta Miftari.  “Arsyeja pse ia kam vendosur “Rrugëtimi” titullin kësaj ekspozite e merr shkakun se kjo ekspozitë ka rrugëtuar gjithandej nëpër botë, për t’u kthyer në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë. Këtij qyteti i kam shumë borxh sepse dy herë më kanë shpallur skulptore të vitit, më 2014-n dhe më 2018-n, prandaj e kam parë shumë të arsyeshme që këto vepra të ekspozohen para audiencës shqiptare”, është shprehur Arjeta.

Veprat e reja të saj janë të punuara në rezinë dhe të patinuara në bronz. Sipas kuratorit Boshtrakaj, interpretimet kështu ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme dhe individualizimi i interpretimit ofron diçka më shumë se një nocion të lartë të ndershmërisë intelektuale dhe të integritetit të metodës historike.

“Arjeta nuk e ekzagjeron dallimin mes grave dhe burrave, por femrën e ka dhe e mbanë në fokus dhe identitetin simbolik të “hyjneshës ”, e re-interpreton në temperamente individuale të secilës “zonjë e zojë” në vete. Arjeta, rrugëtimin e simbolit e paraqet si dedikim vendit dhe popullit të vet, ndërsa simbolikën e rrugëtimit si “hise” personale, herë si autobiografi e herë si biografi të femrës nëpër shekuj.”, shprehet Borakaj për punët e bukura të kësaj ekspozite.

Foto nga ekspozita e skulptores Arjeta Miftari

Në këtë ekspozitë, përveç dhjetë skulpturave, Arjeta Miftari prezantohet në Tiranë edhe përmes fotografive dhe një dokumentari. Ajo rrëfen se përmes 45 fotografive ka dashur që para publikut në Tiranë ta paraqesë procesin e punës së krijimit të veprave, nga fillimi e deri te ai final, duke e konsideruar këtë një proces interesant.

“Është një dokumentar rreth 13 minuta, që shfaqet për të treguar punën time, i realizuar së fundmi”. Gjithashtu ekspozita e Arjeta Miftarit shoqërohet edhe me 15 fotografi të printuara në kanavacë të hyjneshave që kanë bërë rrugëtimin në Prishtinë, Paris e Berlin. Dhe Arjeta Miftari nuk do të ndalet këtu. Ajo është përzgjedhur për një ekspozitë që do të mbahet në prill në New York në një muze të artit bashkëkohor në Amerikë, ku do të realizohet një ekspozitë digjitale. Arjeta rrëfen se aty është përzgjedhur me dy vepra të “Hyjneshës në Fron”. “Ndihem mirë që Hyjnesha në Fron do të arrijë të prezantohet edhe në Amerikë”, thotë skulptorja kosovare, e cila e konsideron si simbol të vendit të saj këtë figurë mitologjike rreth 4 mijëvjeçare.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë