“Odisea” e të madhit Christopher Nolan, një film që vetëm një ditë pas premierës ka lënë pa frymë gjithë të dashuruarit pas ekranit, ka edhe një copëz arti shqiptar.

Iso-polifonia shqiptare, cila është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, dhe tingujt e fyellit dyjar kanë frymëzuar një pjesë të rëndësishme të kolonës zanore të filmit “The Odyssey”.

Me kërkesë të regjisorit Christopher Nolan, kompozitori Ludëig Göransson vendosi të regjistronte tingujt autentikë që t’i afroheshin sa më shumë botës së lashtë, duke mos e bërë regjistrimin në një orkestër klasike simfonike.

Madje flitet se ai vetë, korrikun e vitit të kaluar, Göransson erdhi në Shqipëri dhe regjistroi instrumente tradicionale shqiptare, ndërsa disa ditë udhëtoi në Jug të Shqipërisë për të regjistruar këngë polifonike dhe tingujt e fyellit. Iso polifonia shqiptare shfaqet në sfond, gjatë një skene ku Odisea lundron me ushtrinë e tij.

Në një intervistë të dhënë në revistën ‘Vulure’, vetë kompozitori flet për eksperiencën me barinjtë shqiptarë. "Duhej ta kishim mbaruar regjistrimin deri në orën 6 të mbrëmjes sepse të gjithë duhej të zgjoheshin në orën 4 të mëngjesit për t'u kujdesur për delet e tyre", thoshte ai.

Një pjesë nga filmi “Odisea’ ku dëgjohen ritmet shqiptare e postoi në rrjetet sociale edhe Kryeministri Rama.,

"Ju uroj një mbrëmje të bukur krenarie, pasi Shqipëria dhe vlerat e saj vazhdojnë të frymëzojnë deri në produksionet më të mëdha të Hollivudit, si 'The Odyssey', një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit, me aktorët më në zë", shkroi kreu i qeverisë.

“The Odyssey” pritet të thyejë rekorde që nuk janë parë më herët në kinematografi, me filmin e cili është vlerësuar fenomenal nga të gjitha mediat më të mëdha ndërkombëtare.