Ditën e sotme, 24 orë para skadimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave, PD publikoi një udhëzim, i cili përmbante kriteret të cilat duhet të përmbushnin kandidatët, që të mund të ishin pjesë e garës së 23 majit për kreun e kësaj force politike. Përmes këtij udhëzimi të paraqitur sot, ish-deputeti Ervin Salianji u la jashtë garës, pasi në udhëzim theksohej se personat e dënuar me vendim të formës së prerë nuk mund të kandidojnë për kryetar të PD-së.
Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ish-kandidati për kryetar të PD-së, Ibsen Elezi, është shprehur se nuk ishte në dijeni nëse Statuti i PD-së parashikonte mos-futjen në kandidim të personave të dënuar, pasi sipas tij, kjo forcë politike e ka mbajtur të fshehur Statutin. Por ai shtoi gjithashtu, se bazuar edhe në ligjin e dekriminalizimit, logjikisht një person i dënuar nuk mund të kandidojë për kryetar të një force politike.
“Nuk ka nen përjashtimi nga anëtarësia. Është një që thotë ‘ti vetëpërjashtohesh kur në një fushatë elektorale del edhe bën fushatë për kundërshtarin politik’. Edhe quhesh i vetëlarguar. Dhe e kanë quajtur gjithmonë vetëpërjashtim, që të mos ekzistojë koncepti i përjashtimit të dikujt nga partia. Në momentin që ti je i dënuar, nuk futesh për kandidim. Tani që ta gjejmë këtë nen në Statutin e PD-së, nuk e di, sepse këta e mbanin të fshehur disa kohë Stautin”, tha mes të tjerash Ibsen Elezi.
Nga ana tjetër, për avokatin Leonard Karaj, udhëzimi i PD-së për të lënë jashtë gare personat e dënuar (në rastin konkret Ervin Salianjin), ishte i padrejtë. Kjo pasi sipas tij, në Statutin e PD-së nuk thuhet se personat e dënuar s’mund të marrin pjesë në garë.
Ai rikujtoi gjithashtu deklaratat e kryedemokratit Sali Berisha që e quante Salianjin një të dënuar politik, ç’ka sipas tij, rrëzon pretendimet se ish-deputeti nuk duhet të futet në garë, për shkak se ka qenë i dënuar.
“Ky ligj, pra ligji për dekriminalizimin, është detyrues për postet publike, të cilat janë këshilltarë bashkiakë, ministër, etj. Por kjo nuk është detyruese për partitë politike. Sepse partitë politike janë OJF. Ato vetërregullohen në bazë të Statutit. Sigurisht Statuti duhet të jetë në frymën e Kushtetutës, por nuk thuhet në Statutin e PD-së që të dënuarit s’mund të marrin pjesë në garë. Nëse Salianji që është i dënuar me vendim të formës së prerë, t’i kthehemi historisë politike afatshkurtër, kur Berisha thoshte se ‘Salianji është i dënuar politik’”, tha mes të tjerash Karaj.
Për avokatin Altin Kaziaj, diskutimi nëse një i dënuar duhet të garojë për kryetar partie ose jo, është kryesisht çështe morali. Kaziaj tha se nuk është e logjikshme që një forcë politike të mund të lejojë përfaqësuesin e vet të garojë për pozicione në nivele të larta brenda partisë, në momentin që ai rezulton i dënuar.
“Kjo gjë është edhe çështje morali. Ti moralisht nuk duhet ta lësh një përfaqësuesin tënd që aderon, ose kërkon të zgjidhet në nivele të larta të partisë, që të ketë figurën e tij... Rregullat zakonore kur nuk përbën një ndalesë ligjore, përdoren në çdo rast”, tha avokati Altin Kaziaj.
Por deklarata e Kaziajt mori përgjigjen e avokatit Karaj, i cili tha se Salianji ishte anëtar i Kryesisë së PD-së edhe pasi kishte kryer dënimin me një vit burg.
“Salianji u dënua, doli nga burgu dhe kur doli nga burgu ishte anëtar i Kryesisë së PD-së. Ose ishte i paligjshëm edhe asokohe, ose është i paligjshëm tani”, tha mes të tjerash Karaj.
“Grafia muajin e parë nuk e ka nxjerrë shtatzënë, tani ka dalë”, tha Elezi.
Ndërsa për analistin Aleksandër Çipa, me veprimet e fundit që Sali Berisha po bën, me qëllim përjashtimin nga gara për kreun e PD-së të Ervin Salianjit dhe figurave të tjera, po tregon sipas tij, se ka si qëllim hipotekimin e Partisë Demokratike.
“Rasti i Berishës dhe situata aktuale e determinimit të partitokracisë në Shqipëri, ne na privon nga një analizë dialektike. Ky është kapitulli shtesë politik, që Berisha bën në jetën politike të vetën. Është një kapitull shtesë që ne në gjuhën pragmatiste apo makiaveliste kemi thënë se ‘po e hipotekon partinë’ dhe mbyllet. Ky është akti përfundimtar që po e hipotekon. Nëse nuk e ka për familjen, e ka për enturazhin e vet. Unë nuk shikoj një konkurrencë të principit, të modernizimit, të rritjes së kapaciteteve, nuk ekzistojnë”, tha mes të tjerash Çipa.
Komente










