Besim Skila nga fshati Gjoçaj i rrethit të Matit, sot 50 vjeç, ka humbur kontaktet me familjen e tij prej vitit 2000. Këtë mbrëmje në emisionin "Pa Gjurmë", motra e tij Nadire Çerpja, rrëfeu rrugëtimin e vëllait të saj drejt Anglisë më 5 shtator në vitin 1995, dhe humbjen e mistershme të kontakteve të Besimit me familjarët në vitin 2000.
Besimi u largua nga Shqipëria drejt Anglisë së bashku me një nga kushërinjtë e tij. Në kontaktet e para me familjarët u tha se jetonte në Londër dhe se kishte filluar punë në një biletari. Atje ai jetoi me kushërinjtë, dhe së fundi me djalin e hallës. La shtëpinë e tij duke lënë vetëm një shënim: Jam nisur për në punë!
Familjaret nisën kërkimet me shpresën se do gjejnë gjurmë të 50-vjeçarit, por pa asnjë rezultat.
Qazim Skila, babai i Besimit tregon se ka kaluar shumë sëmundje, por kjo e largimit të të birit është si ajo plaga që vazhdon të rrjedhë. Ai me lot në sy, nxjerr bllokun e shënimeve, që mban në një xhep, në anën e zemrës, ku mban çdo shënim, mbi detaje të historisë së të birit.
Nëna po ashtu është me lot në sy e sfilitur nga çdo vuajtje e saj.
Në një lidhje me Skype nga Londra, vëllai i Besim Skilës, Astriti tha se deri në vitin 2000 ka biseduar shpesh me vëllain. Por një informacion kontradiktor është ai që jep zyrtarisht policia angleze. Autoritetet atje thonë se adresa e fundit e Besim Skilës ka qenë 151A Rruga Ley deri në 10 dhjetor të vitit 2006. Kjo është e njëjta adresë ku ai ka jetuar me djalin e hallës, por vëllai i tij që aktualisht jeton në Angli, Astrit Skila, thotë se është e pamundur që Besimi të ketë jetuar në Wimbledon deri në atë vit, pasi ata e kanë kërkuar.
"Kërkimet e bëra tek zyrat e emigracionit treguan se ai ka aplikuar për riatdhesim vullnetar në Kosovë me 28 nëntor 2002. Nuk mund të ofrohet më shumë ndihmë nga ana e policisë për këtë çështje", është shprehur policia e Wimbledon.
Pergjigjja nga Policia e Londres
Një telefonatë e mbërritur në emisionin "Pa Gjurmë" tha se Besim Skila mund të jetë parë në Burrel. Nuk ishte shumë i shëndoshë, ishte rreth 40-45 vjeç, flokët pak të rëna dhe të shkurta. Ai tha se vij nga Kukësi", tha telefonuesi duke ju referuar fotos së Besimit shfaqur në emision. Ky informacion do të verifikohet nga gazetarët investigativ të emisionit "Pa Gjurmë", ndërsa motra e tij në studio tha që është e pamundur që vëllai i saj të jetë në Shqipëri.