UEFA dhe CONCACAF po diskutojnë krijimin e një kompeticioni të ri të përbashkët për kombëtaret, në një lëvizje që mund të ndryshojë ndjeshëm panoramën e futbollit ndërkombëtar dhe t’i hapë një sfidë të drejtpërdrejtë FIFA-s.
Sipas raportimeve të “The Guardian”, dy konfederatat kanë nisur bisedimet për krijimin e një Nations League transatlantike, ku do të përfshiheshin të 96 kombëtaret e Evropës, Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Karaibeve.
Projekti është ende në fazat e para, por ideja është që kompeticioni të zhvillohet çdo dy vjet, me mundësinë që edicioni i parë të nisë në vitin 2028.
Formati i propozuar do të bazohej në modelin e Nations League që përdoret aktualisht në Evropë. Kombëtaret do të ndaheshin në disa liga, ndërsa pas përfundimit të fazës së ligës do të zhvilloheshin ndeshjet me eliminim direkt, përpara se katër skuadrat më të mira të përballeshin në një Final Four, ku do të përcaktohej kampioni.
Një nga aspektet më interesante të projektit do të ishte përballja e rregullt mes kombëtareve të fuqishme të dy kontinenteve. Në ligën elitare mund të shiheshin ekipe si Spanja, Franca, Anglia dhe Gjermania, përballë përfaqësueseve si Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Megjithatë, ende nuk është përcaktuar numri i kombëtareve që do të përfshiheshin në secilën ligë, pasi diskutimet konkrete kanë nisur vetëm gjatë javëve të fundit.
Ky projekt vjen në një periudhë tensionesh mes UEFA-s dhe FIFA-s. Dy konfederatat tashmë janë bashkuar në disa çështje të rëndësishme dhe krijimi i një kompeticioni të përbashkët do të përfaqësonte një hap të fortë drejt një organizimi më të pavarur të futbollit ndërkombëtar.
Mbetet gjithashtu e paqartë nëse një turne i tillë do të kishte nevojë për miratimin e FIFA-s. Në klimën aktuale, UEFA duket se nuk e konsideron këtë një pengesë të pakapërcyeshme, ndërsa ideja e një Nations League mes Evropës dhe Amerikës së Veriut pritet të shkaktojë reagime të forta në botën e futbollit.






Komente
Komento