Qytetarët e pyetur nga Report TV këmbëngulin se formalizimi nuk është më i rëndësishëm sesa thjeshtëzimi i procedurave për hapjen e një libreze të re apo marrjen e shërbimit pranë UKT-së së zonës ku banojnë.
Një burrë i moshuar që po priste në radhë, u ankua duke thënë: “Ky është një shqetësim i madh për të gjithë qytetarët. Ne kemi zonat, në zona mund të bëhet çdo veprim. Nuk e kuptoj pse është i gjithë personeli nëpër zona, për të na kontrolluar vetëm sahatët?”.
Një burrë në moshë të mesme tha se ndodhej aty “Për të ndërruar mbiemrin e kontratës, është në emër të gruas me mbiemër të vajzërisë, po e vë në mbiemrin tim. Kam dy ditë që vij, kërkojnë dokumenta shtesë. Shpresoj të mbaroj punë”.
Një tjetër i moshuar dukej edhe më i revoltuar. “Unë jam plak i vjetër, pensionist i vetëm dhe më vjen 18.400 lekë uji. Ku t’i paguaj unë këto, unë jam pensionist” – tha ai me tone të larta.
Radhët e krijuara kanë prodhuar edhe debate të forta mes vetë qytetarëve.
Vetëm pak ditë më parë ministri Gjiknuri e shtyu afatin e shlyerjes së detyrimeve dhe formalizimit për qytetarët si pasojë e radhëve të krijuara dhe mos përballimit nga sportelet e UKT.
Megjithatë nga sot të gjitha bizneset që vjedhin apo kanë lidhje të parregullta në marrjen e ujit do të ndëshkohen.
s.k/Shqiptarja.com

VIDEO









