Bashkia e Tiranës bën me dije se janë ndërprerë 226 lidhje të paligjshme dhe janë vendosur 36 gjoba mes tyre 26 gjoba për familjarë dhe 12 për biznese të ndryshme.
Masa të tilla thuhet në njoftimin për median janë bërë në bazë të menaxhimit të situatës së emergjencës në kryeqytet
“Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime, vijuan edhe sot aksionin për monitorimin e situatës në terren, duke ndërhyrë me ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, kryesisht në periferi të kryeqytetit, dhe duke ndaluar çdo abuzim me ujin e pijshëm.22 grupet e Task-Forcës, me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, të shpërndara prej ditës së djeshme në gjithë territorin e Tiranës, përfshi zonat rurale, ashtu edhe atë urbane” thuhet në njoftimin për mediat.
[gallery]22878[/gallery]
Aksioni i Task-Forcës është përqendruar në dy drejtime: në linjat e transmetimit në periferi të Tiranës si Yrshek, Mëzes, Kashar, Babrru, Astir, Kodër-Sharrë, Shkozë, Sauk, etj, si dhe në rrjetin e shpërndarjes brenda në qytet, përfshi subjektet private dhe shtëpitë me bahçe dhe lulishte.
Gjithashtu, grupet e punës në terren kanë bërë edhe verifikimin e 2130 abonentëve, duke ndërprerë aktmarrëveshjet lehtësuese me 34 prej tyre që rezultojnë debitorë.
Në fokusin e këtij aksioni të përgjithshëm kanë qenë edhe rastet e abuzimit me ujin e pijshëm nga subjektet private brenda qytetit. Gjatë verifikimeve në terren janë konstatuar dhe ndërprerë të gjitha lidhjet e ujit që përdorej nga lavazhet e makinave. Edhe në këto raste subjektet janë gjobitur sipas parashikimit në ligj, ndërsa për çdo shkelje penale është bërë gjithashtu denoncimi në organet përkatëse.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com