Një mur i ri në zemër të Evropës, pas atij të Berlinit, në kulmin e një Lufte të Dytë të Ftohtë mes Perëndimit dhe Rusisë për shkak të krizës ukrainase.

Njoftimin e "Projektit Mur" për të "ndërtuar një kufi të vërtetë me Rusinë", e dha sot kryeministri ukrainas, filoperëndimori, Arseni Jaceniuk. Këtë gjë ai e bëri gjatë një takimi të qeverisë dhe, paradoksalisht, në ditën kur presidenti Petro Poroshenko bëri të ditur një marrëveshje me homologun e tij rus, Vladimir Putin për një armëpushim në lindje të vendit.
Shefi i qeverisë ukrainase përdori një fjalor të ashpër kundër Rusisë, që sipas tij duhej të konsiderohej "vend agresor" në doktrinën e re mbrojtëse të Ukrainës edhe pse nuk dha hollësi për këtë iniciativë që rrezikon të ushqejë tensione të reja, polemika dhe reminishenca të sikletshme historike.

Është i qartë fakti se fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 26 tetorit ka filluar dhe të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje do ta përdorin konfliktin me rusët si element kryesor të kësaj fushate.
Por, një mur mbetet një mur, me gjithë simbolikën e tij domethënëse të përçarjes, sidomos në Evropë. Kjo ide nuk është e re në Ukrainë.

I pari që e propozoi, qershorin e kaluar, ishte oligarku ukrainas, Igor Kolomojski, i emëruar disa muaj më parë guvernator i rajonit të Dnjipropetrovskut nga lidershipi i ri europeist i Kievit.
Manjati, i konsideruar njeriu i katërt më i pasur i vendit, me një pasuri prej 1,8 miliardë dollarësh, paraqiti në presidencën ukrainase një projekt për të realizuar një rrjetë metalike me tela me gjemba, të gjatë 1920 kilometra dhe të lartë dy metra, përgjatë kufirit mes Rusisë dhe rajoneve ukrainase të Donetskut, Luganskut dhe Kharkivit.

"Muri i Madh" ukrainas, sipas planit, do të përçonte në disa zona të tij tension të lartë, do të kishte fusha të minuara dhe hendeqe. Një vepër sipas tij "prej 100 milionë dollarësh", "e realizuar për gjashtë muaj" dhe "efikas kundër hyrjes së njerëzve dhe mjeteve ushtarake nga Rusia".

Që nga ajo kohë nuk dihet më asgjë edhe pse gjatë kësaj kohe Kolomojski ka përfunduar në shënjestrën e rebelëve prorusë, që kanë shkatërruar bankat e tij në lindje.
Në Facebook është shfaqur edhe një grup ukrainas që mbështet hipotezën e një muri çimentoje të lartë 10 metra.

Sot, qeveria ukrainase risolli idenë e këtij muri edhe pse nuk dha detaje për projektin, i destinuar për të ngritur diskutime, pavarësisht që në botë janë ngritur shumë mure që nga rënia e Murit të Berlinit.
Ekziston aktualisht barriera e ngritur nga izraelitët në kufi me Cisjordaninë. Ekziston muri i diskutueshëm mes SHBA-së dhe Meksikës, i gjatë 3 140 kilometra. Akoma më i gjatë është ai mes Indisë dhe Pakistanit 3 300 kilometra. Lista është e gjatë edhe pse pak e njohur, nga Tajlanda me Malajzinë, nga Uzbekistani me Taxhikistanin dhe nga Arabia Saudite me Jemenin.

Në Evropës mbetet vetëm muri i vogël i Qipros, mes pjesës greke dhe turke të ishullit, përveç dhjetëra mureve ende ekzistues në Belfast për të ndarë katolikët nga protestantët.
Por, një muri tjetër në zemër të Kontinentit të Vjetër, që materializon fantazmat e një lufte të re të ftohtë, pak vetë ia kanë nevojën./ (Nga Claudio Salvalaggio)/ATSH/