Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kundërshtuar hapur mundësinë që Ukraina të përfitojë një rrugë më të shpejtë drejt Bashkimit Europian se vendet e Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar se një qasje e tillë do të ishte e padrejtë dhe do të dëmtonte besueshmërinë e procesit të zgjerimit.
Duke folur në Parlament para Këshillit Europian të 18-19 qershorit, Meloni tha sot se Italia mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE, por procesi duhet të respektojë të njëjtat rregulla për të gjitha vendet kandidate.
“Ukraina ka bërë përparime të rëndësishme dhe duhet të vazhdojë rrugën e reformave, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Italia do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë këtë rrugëtim. Por procesi i anëtarësimit duhet të vazhdojë duke respektuar parimin e meritës dhe trajtimit të barabartë mes të gjitha vendeve kandidate, përfshirë Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Meloni.
Ajo shtoi se pozicioni i Italisë nuk ka ndryshuar as për Ukrainën dhe as për Ballkanin Perëndimor, pavarësisht polemikave që pasuan mungesën e saj në samitin e javës së kaluar në Maqedoninë e Veriut.
“Për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor pozicionet tona kanë qenë gjithmonë të njëjtat dhe i përfaqësojmë me qartësi dhe guxim në çdo forum, pavarësisht pjesëmarrjes ose jo në një mbledhje të caktuar”, tha ajo.
Më pas Meloni dha mesazhin më të fortë politik të fjalës së saj.
“Mendoj se do të ishte gabim, për shembull, të lejonim që rruga e anëtarësimit të Ukrainës të ishte më e shpejtë se ajo e Ballkanit Perëndimor. Mendoj se do të bënim gabim të përdornim dy pesha dhe dy masa. Mendoj se do të bënim gabim të jepnim mesazhin se ka kombe që janë më të rëndësishme se të tjerat”, deklaroi kryeministrja italiane.
Meloni u ndal edhe te roli i Bashkimit Europian në negociatat që mund të zhvillohen në të ardhmen për luftën në Ukrainë, duke zbuluar se prej muajsh ka propozuar emërimin e një përfaqësuesi të posaçëm europian.
Sipas saj, disa vende anëtare kanë penguar këtë ide sepse nuk duan të humbasin kontrollin e procesit.
“Kam propozuar një të dërguar disa herë, në raste të ndryshme, në mbledhje të ndryshme. E propozoj prej shumë muajsh, por është preferuar të thuhet jo sepse ka disa vende që nuk duan të heqin dorë nga drejtimi i procesit. Është legjitime, por të mos vijnë të më shpjegojnë mua se çfarë është uniteti europian”, tha Meloni.
Ajo akuzoi drejtpërdrejt disa vende të BE-së se po vendosin interesat e tyre kombëtare përpara interesit të përbashkët europian.
“Ka një përpjekje për të vendosur interesin e vet dhe dëshirën për të qenë në plan të parë mbi unitetin europian”, u shpreh ajo.
Kryeministrja italiane argumentoi se Bashkimi Europian duhet të ketë një zë të vetëm në çdo proces negociues me Rusinë dhe Ukrainën, pasi fragmentimi i iniciativave vetëm sa dobëson pozicionin europian.
“Europa duhet të jetë e gatshme të udhëheqë këtë dialog. Do të ishte gabim ta pësonte atë. Por për ta bërë këtë duhet të identifikohet dikush që mund të përfaqësojë interesat europiane në tryezën e negociatave. Të vazhdosh me formate të ndryshueshme dhe jo mjaftueshëm përfaqësuese prodhon vetëm fragmentim, konfuzion dhe dobësi”, deklaroi Meloni.
Në të njëjtën kohë, ajo sinjalizoi se Bashkimi Europian duhet të fillojë të mendojë për mënyrën se si do të ndërtojë marrëdhëniet me Moskën në të ardhmen.
“Vazhdimisht ngre çështjen e nevojës që Europa të nisë një reflektim të përbashkët dhe pragmatik mbi mënyrat e ndërveprimit me Rusinë. Vendosmëria jonë ndaj Rusisë nuk duhet të shndërrohet në verbëri diplomatike apo vetëpërjashtim. Mbrojtja e kufijve të së drejtës nuk na pengon të mbajmë të hapura kanalet e nevojshme për të arritur objektivat tona”, tha Meloni.
Përplasje të forta me opozitën në Parlament
Seanca në Parlament u shoqërua me debate të ashpra mes Melonit dhe opozitës, e cila e akuzoi qeverinë për dështime në ekonomi, siguri dhe politikën e jashtme.
Liderja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, sulmoi qeverinë për situatën ekonomike, duke deklaruar se prodhimi industrial ka rënë për 35 muaj radhazi, ndërsa pagat e italianëve mbeten ndër më të ulëtat në Europë.
“Boll me gënjeshtra dhe boll me propagandë”, iu drejtua Schlein kryeministres, duke akuzuar qeverinë se ka dështuar të përmirësojë kushtet e jetesës së qytetarëve.
Edhe ish-kryeministri Matteo Renzi ngriti tonet, duke e quajtur Melonin “Lady Tax” dhe duke pretenduar se presioni fiskal në Itali ka arritur nivele rekord gjatë qeverisjes së saj.
“Sot me ju presioni fiskal është në nivele rekord. Brenda tre vitesh jeni bërë ‘Lady Tax’”, deklaroi Renzi.
Nga ana tjetër, lideri i Lëvizjes 5 Yjet, Giuseppe Conte, e akuzoi Melonin se po e lë Italinë jashtë tryezave më të rëndësishme europiane dhe ndërkombëtare.
“Meloni nuk shfaqet më në samitet europiane. Italia nuk po numëron më”, tha Conte, duke kritikuar edhe mungesën e saj në samitin BE-Ballkani të zhvilluar javën e kaluar.
Një nga momentet më të tensionuara të debatit erdhi pas deklaratës së deputetit të M5S, Francesco Silvestri, i cili akuzoi kryeministren se ka mbajtur një qëndrim shumë të butë ndaj Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu.
Duke përdorur një shprehje që shkaktoi polemika të forta, Silvestri tha se Meloni kishte veshur “gjunjëza” për të qenë më komode në raport me dy liderët.
Përgjigjja e kryeministres erdhi menjëherë nga foltorja e Parlamentit.
“Ajo që ju nuk arrini të pranoni është se ekziston një person që pa veshur kurrë gjunjëza ka arritur aty ku ka arritur, pa ndihma, pa favore dhe pa rrugë të shkurtra. Ju bezdis fakti që gruaja e parë kryeministre e Italisë vjen nga e djathta”, tha Meloni mes duartrokitjeve të shumicës.
Pavarësisht përplasjeve, Dhoma e Deputetëve miratoi rezolutën e shumicës në mbështetje të linjës së qeverisë për Këshillin Europian me 170 vota pro, 138 kundër dhe 3 abstenime.
Komente






