Situata e vështirë e furnizimit me ujë të pijshmë gjatë dy ditëve të fundit në kryeqytet i është rikthyer nomalitetit. Ndërmarrja e Ujësjellës–Kanalizimeve në Tiranë sqaron nëpërmjet një njoftimi për mediat se impianti i trajtimit të ujit në Bovillë është rivënë në punë, ndërsa hedh poshtë spekulimet  mbi cilësinë e ujit.
 
Sipas UKT-së cilësia e ujit të pijshëm është e garantuar sipas të gjitha parametrave, pasi laboratorët në Bovillë kanë kryer në mënyrë periodike analizat e kontrollit të cilësisë.
 
Ndërsa sa i përket problemeve të furnizimit me ujë në disa zona këtë të hënë, UKT thotë se ato kanë ardhur si pasojë e vakumit të krijuar në rrjetin e shpërndarjes dhe depozitat e qytetarëve. Por një situatë e tillë do të normalizohet brenda kësaj dite, sqaron UKT.
 
Më tej në njoftimin e UKT thuhet se në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës është bërë furnizimi i vazhdueshëm me bote, në institucionet e rëndësisë së veçantë, kryesisht në spitale, ku vetëm në QSUT, janë dërguar 30 bote me ujë.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)