Sot u bënë 10,163 vaksina anti-COVID, mbërrijnë 100 mijë doza kineze! Ahmetaj: Javët e ardhshme vijnë 100 mijë doza Sinovac dhe 50 mijë Sputnik

Në të gjithë vendin, sot janë bërë 10,163 vaksina antiCOVID, ndërsa në total që nga fillimi i fushatës janë kryer 242,542 vaksinime.

Me nisjen e fluturimeve pas 24 orësh bllokimi të aeroportit të Rinasit, këtë pasdite është ulur avioni i parë te “Nënë Tereza”  me vaksina anti-COVID.

Kanë mbërritur në Rinas 100 mijë doza të vaksinës kineze, ndërsa ngarkesa erdhi me një ditë vonesë, pasi ishte planifikuar të mbërrinte ditën e djeshme, por u pezullua si pasojë e ndalimit të fluturimeve sepse kontrollorët lanë punën në aeroportin e Rinasit.

Dërgesa e vaksinave u prit nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj.

Manastirliu u shpreh se për shkak të bllokimit të djeshëm të fluturimeve në Rinas, që penguan edhe ardhjen e vaksinave, plani i vaksinimit masiv është shtyrë me 48 orë, për shkak të procedurave që do të duhej të ishin bërë një ditë më parë. Ndërkohë, Ahmetaj dha lajmin e mirë se javën tjetër, të hënën ose të martën, do të mbërrijnë edhe 100 mijë doza të tjera të vaksinës kineze dhe se po negociohet për 50 mijë doza të vaksinës ruse, që do të vijnë në javët në vijim.  

Ditën e sotme, nga jugu në veri ka nisur tashmë në mbarë vendin vaksinimi i fashës së popullatës nga 65 vjeç deri në 70. Vaksinimi masiv në vend ka nisur që prej 28 mars dhe po vijon me ritme mjaft të shpejta, ndërsa Barometri global e renditi Shqipërinë në vendin e parë për ritmin e vaksinimit në 7 ditët e fundit, duke lënë pas edhe Serbinë në rajon, por edhe vende të Bashkimit Evropian, të cilat e nisën më herët vaksinimin. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:08
Sot janë bërë 10,163 vaksina antiCOVID

Ditën e sotme janë bërë 10,163 vaksina antiCOVID. Shifrat i ka publikuar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila bën me dije se nga fillimi i fushatës së vaksinimit janë bërë 242,542 vaksinime.

Deri tani janë vaksinuar 25.720 arsimtarë. Pasi situata u normalizua dhe fluturimet në aeroportin e Rinasit filluan pas 24 orësh të bllokuara, këtë pasdite është ulur avioni i parë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”  me vaksina anti-COVID.

Ora 19:08
Vaksinohen 25.720 mësues, Manastirliu: Çdo ditë e më shpejt po i afrohemi dritës në fund të tunelit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se deri tani janë vaksinuar 25.720 arsimtarë. Manastirliu shkruan se me vaksinimin masiv, çdo ditë e më tepër i afrohemi dritës në fund të tunelit.

"Vijojmë pa u ndalur me planin tonë të vaksinimit masiv. Çdo ditë e më shpejt jemi duke iu afruar dritës në fund të tunelit"shkruan Manastriliu.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total  232,556 doza të vaksinës anti COVID-19 për qytetarët.

Ora 17:07
Manastirliu: Ngjarja e paprecedentë vuri në rrezik planin tonë, shtyhet me 48 orë vaksinimi masiv! Do të ulet fasha brenda javës

100,000 doza të vaksinës së Sinovac kanë mbërritur sot në Aeroportin ‘Nënë Tereza’, dy javë pas mbërritjes së 192,000 dozave, me të cilat nisi vaksinimi masiv në vend.  Të pranishëm në Aeroportin “Nënë Tereza” ishin ministrja Ogerta Manastirliu, ministri Arben Ahmetaj dhe ministrja Belinda Balluku.

Manastirliu ka deklaruar se brenda kësaj jave do të ulet fasha për vaksinim.

“Kemi arritur që t’i kemi vaksinat sot, 100,000 vaksina të Sinovac dhe të vazhdojmë me planin tonë të vaksinimit masiv, për të vijuar në ditët e ardhshme me hapjen e fashës të grupmoshës, + 65 dhe +60 vjeç dhe padyshim edhe me punonjësit e shërbimeve kritike”, u shpreh Manastirliu.

Duke folur për vonesen e shkaktuar si pasojë e grevës së paligjshme në Rinas, Manastirliu tha:

“Falë përpjekjeve madhore të Kryeministrit, ne arritëm që 100 mijë vaksina të Sinovac të vinin në Shqipëri, por pikërisht nga kjo vonesë, plani ynë i vaksinimit u shty me 48 orë, pasi duhen të gjitha procedurat që ne ishim përgatitur t’i kryenim ditën e djeshme, të spostohen në kohë. Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishin bërë këto përpjekje madhore, nëse nuk do të arrinim t’i kishim këto vaksina në kohë, pasi dihet se çfarë lufte e madhe brrylash bëhet në rastet kur një shtet nuk është gati t’i marrë, ateherë një vend tjetër i merr”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të përmbushet angazhimi për të vaksinuar 500,000 qytetarë brenda Majit. Dy javë pas mbërritjes së 192,000 dozave të vaksines së sinovac, qeveria ka garantuar edhe 100,000 doza sot, për të vijuar pas disa ditësh me zgjerimin e fashës se vaksinimit, në mënyrë kapilare të gjithë vendin.

Ora 16:58
Ahmetaj: Javën e ardhshme mbërrijnë 100 mijë doza të tjera nga vaksina kineze! Në negociata edhe për 50 mijë doza të vaksinës ruse

Pas vonesës me një ditë, në Rinas kanë mbërritur sot 100 mijë doza të vaksinës kineze. I pranishëm në aeroportin e Rinasit, Ministri Arben Ahmetaj tha se asgjë nuk do ta ndalojë objektivin për vaksinimin e 500 mijë shqiptarëve deri në qershor, ndërsa shtoi se javën që vjen, të hënën ose të martën, do të vijnë edhe 100 mijë doza të tjera të vaksinës kineze.

Ai shtoi po ashtu se ka marrë autorizimin për të negociuar edhe për 50 mijë doza të vaksinës ruse, Sputnik V, që pritet të vijnë në javët në vijim.

“Asgjë nuk do na ndalojë të bëjmë 500 mijë vaksinimet për qytetarët shqiptarë. Numrat janë në rënie. Kemi filluar ta mundim atë flamë dhe plani i vaksinimit do të vazhdojë me shpejtësi. Ne jemi sërish duke negociuar me vende mike, me prodhues. Dje kemi marrë autorizimin nga Këshilli i Ministrave për të negociuar për 50 mijë vaksina ruse që do vijnë javët e ardhshme, ndërsa javën e ardhshme, të hënën ose të martën vijnë 100 mijë doza të tjera të vaksinës kineze”, tha Ahmetaj.

Ora 16:57
Balluku: Vaksinat erdhën 1 ditë me vonesë për shkak të çmendurive

Ministrja Belinda Balluku në pritje të 100 mijë vaksinave në Rinas tha se ato erdhën me vonesë për shkak të tentativave çmendurake.

"Falë përpjekjeve të qeverisë erdhi sinovac në Shqipëri, vaksinat erdhën 1 ditë me vonesë për shkak të çmendurive. Sot është ditë e mirë si gjithmonë kur vijnë vaksinat është një ditë e veçantë. Vaksinat arritën të ulen pas vështirësive që kishim dje. Sot arritëm të krijojmë të gjitha kushtet për të bërë ulje ngritje vetëm për fluturimet esenciale. Ky është një fluturim i  rëndësishëm me 100 mijë vaksina të tjera", tha ajo.

Ora 16:37
Mbërrijnë me një ditë vonesë vaksinat kundër COVID (VIDEO)

Kanë mbërritur në Rinas 100 mijë doza të vaksinës kineze. Dërgesa erdhi me një ditë vonesë, pasi ishte planifikuar të mbërrinte ditën e djeshme, por u pezullua si pasojë e ndalimit të fluturimeve në aeroportin në aeroportin në Rinas.

Me një postim në Facebook, Ministrja e Shëndetësisë , Ogerta Manastirliu shprehet më e vendosur se kurrë  për të vazhduar me ritme të larta vaksinimin masiv dhe për të garantuar një sezon turistik të lehtësuar

“Aeroporti Nënë Tereza - Me një ditë vonesë për shkak të tentativës çmendurake për bllokimin e fushatës së vaksinimit dhe nxitjen e rrëmujës në prag të zgjedhjeve, mbërrijnë  100,000 vaksina të tjera anticovid

Më të vendosur se kurrë për të vazhduar me ritme të larta vaksinimin masiv dhe për të garantuar një sezon turistik të lehtësuar e me të ardhura të larta për Shqipërinë”, shkruan Ministrja Ogerta Manastirliu.

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Tentuan të vrisnin Inez Hajrrullën dhe Ervis Matodashajn, SPAK kërkon 11 vite burg për Leonard Luzin dhe Muharrem Koroveshin! 2 vite e 9 muaj për Amarildo Nikollin

Tentuan të vrisnin Inez Hajrrullën dhe Ervis Matodashajn, SPAK kërkon 11 vite burg për Leonard Luzin dhe Muharrem Koroveshin! 2 vite e 9 muaj për Amarildo Nikollin