Na thotë qeverisja se do na ulin taksat! Por, shumë pak, ose aspak, qeverisja na tregon, ose jep mundësi për të kuptuar taksat që kemi: pse duhen ato, sa të larta janë ato, si dhe sa është kontributi ynë me taksat, si qeverisen taksat, ç’bëhet me to dhe sa është rendimenti shoqëror i tyre. Nga një anë qeverisja e vendit, mburret për shembull se ka siguruar dhe merr borxhe, dhe ne dëgjojmë se borxhi që kemi bëhet gjithmonë e më i madh, nga ana tjeter thotë se do uli taksat! A mund ta kuptojë kush se kur vendi yt merr borxh, ai borxh lahet me kontribut tënd më të vogël? A mund ta kuptoj kush, se kur bota është në krizë, vendi yt i shpëton krizës se kontributi i banorëve të tij nëpërmjet taksave është më i vogël? Jo, jo dhe jo! Kanë 20 vjet që shqiptarët kanë dalë nga sistemi i shoqerisë së mbyllur.

Po ashtu, ata kanë 20 vjet që shoqëria e tyre ka hyrë në rrugën e shoqërisë së hapur, ose asaj që njihet ndryshe me emrin shoqëri e lirë. Në shoqërinë e mbyllur, diktatura e proletariatit, e cila pa skrupuj e quante veten demokraci e vërtetë, mburrej se ishte e vetmja forcë politike në botë që kishte arritur të kishte një qeverisje pa taksa në Shqipëri, ndërkohë që ajo, pra qeverisja e asaj diktature, i rripte lëkurën shqiptarit dhe shfrytëzonte me rendiment mizerabël burimet natyrore të vendit. Një nga ndryshimet kryesore të shoqërisë së mbyllur me shoqërinë e hapur, është ajo, se në shoqërinë e hapur, qeverisja e vendit, rrjedhimisht edhe zhvillimi ekonomiko- social i tij, mbështetet në kontributin me taksa që bëjnë banorët e vendit dhe në ndershmërinë e qeverisjes së taksave prej qeverisjes. Një nga parametrat për të kuptuar zhvillimin e shoqërisë së lirë në Shqipëri, është qeverisja e taksave në vend. Pra, qeverisja ligjëvënëse e taksave, qeverisja ekzekutive e taksave dhe qeverisja gjyqësore e taksave.

Ashtu si edhe në fusha të tjera, edhe në fushën e taksave, në Shqipëri, vihet re hapsirë e madhe midis ligjeve mbi taksat dhe zbatimit nga ana e ekzekutivit dhe gjyqësorit të ligjeve mbi taksat. Aq e madhe konstatohet hapësira midis ligjit dhe zbatimit të ligjit edhe në fushën e taksave, sa që kjo dukuri ndikon me të tepërt në përcaktimin e gjendjes në anomi (pra të mungesës së përvojës për të jetuar në shoqërinë e hapur) të shoqërisë shqiptare. Një shembull për këtë konstatim është, jo vetëm mospagesa e taksave për një shërbim a një mall të caktuar, por edhe mospagesa e vetë mallit dhe e shërbimit. Shembuj: mospagimi i energjisë elektrike dhe ujit në Shqipëri, nga një masë e madhe e popullsisë. Qeveria mburret se vendi ka arritur një mirëqenie të lavdërueshme në saj të asaj që ata e quajnë konsum shqiptar. Kjo do të thotë se ne shqiptarët japim kontribut të rëndësishën në atë që quhet taksë e vlerës së shtuar (TVSh). Kjo taksë është e pranishme në çdo mall që ne blejmë e konsumojmë, që nga shkrepsja e vogël, te energjia elektrike, uji, buka, kripa, vaji, sheqeri, kafeja, orizi, makarona, e të gjitha të tjerat. A kemi dëgjuar ndonjëherë qeverinë të na shpjegojë për këtë taksë? Si mblidhet, sa mblidhet dhe si përdoret? A keni dëgjuar të na shpjegojë për këtë taksë, e cila përcakton ortakërinë e shtetit në çdo mall e shërbim që ne blejmë e konsumojmë? A keni dëgjuar ndonjëherë se sa mirë e bën shteti punën e vet si ortak që të marrë atë pjesë ortakërie në ato mallra dhe shërbime? A keni dëgjuar ndonjëherë në se jemi të kënaqur ne blerësit konsumatorë shqiptarë për atë taksë që ne paguajmë? Përgjigjet janë të kota të kërkohen, sepse ne nuk kemi transparencë për taksat.

Madje ne kemi dyshime të arsyeshme se në Shqipëri, një pjesë e madhe e banorëve të saj, paguajnë taksa në madhësinë e të cilave futet brenda edhe vlera e atyre që nuk i paguajnë ato taksa. E përsërisim: Të thotë qeveria se do të ulë taksat, ndërkohë që qeveria asnjëherë nuk ka folur saktë dhe hapur për se si i qeveris taksat, për shembull: sa të larta janë taksat sot, si mblidhen dhe sa mblidhen ato, si përdoren dhe sa është rendimenti shoqëror i tyre, kjo do të thotë se qeveria ose i merr për budallenj të mëdhej shqiptarët ose u thotë e u tregon atyre se si "macja e Bertol Brehtit e hante mustardën".

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.COM

(Gre.M/Shqiptarja.com)