/ATSH-DPA/ - Vala e të nxehtit në jug të Pakistanit shkaktoi vdekjen e më shumë se 800 personave për pesë ditë, në ndërkohë që në qytetin e goditur më rëndë nga kjo tragjedi sot u shënuan temperatura më të ulëta.
"Rreth 780 persona vdiqën në qytetin port të Karaçit që nga fillimi i Ramazanit, të premten e kaluar", deklaroi Jam Mehtab Dahar, ministër i Shëndetësisë në provincën e Sindit.
"Të paktën 50 persona vdiqën nga ataku në zemër në zona të ndryshme të vendit, ku temperaturat shënuan edhe 45 gradë Celsius", tha Ijaz Afzal, drejtor në këtë ministri.
"Megjithatë, kjo nuk mund të jetë shifra përfundimtare. Ne po numërojmë ende të vdekur të tjerë", theksoi ai.
Sot, temperaturat në Karaçi ishin 36 gradë Celsius, në ndërkohë që në pjesë të ndryshme të vendit priten shira.