Komisioni i Ekonomisë miratoi me ndryshime paketën fiskale të vitit 2027. Deputetët vendosën që të zgjerohet numri i produkteve që do të kenë TVSH 6%, jo vetëm për ushqimet por edhe për produktet higjienike të grave dhe bebeve. Pavarëisht kundërshtimeve të Ministrisë së Financave, Komisioni miratoi gjithashtu lehtësira për investimet në infrastrukturën sportive, përjashtimin nga akciza të produkteve të ndaluara të duhanit elektronik.
Jo vetëm produktet ushqimore por edhe një pjesë e atyre higjienike do të jenë me TVSH të reduktuar, nga 20% në 6%. Komisioni i Ekonomisë bëri ndryshime në projektligjin e TVSH-së, duke miratuar reduktimin e këtij tatimi për produktet higjienike për bebet dhe për gratë, pavarësisht se u kundërshtuan nga Ministria e Financave.
Gjithashtu Komisioni vendosi të shtojë edhe ujin në listën e produkteve ushqimore që do të jenë me TVSH 6% nga 1 janari 2027, dhe për këtë debatet nuk munguan me ministrinë që ishte kundër.
“Pozitë opozitë, kemi menduar që një produkt duhet të jetë se s'bën në listë që nuk është përfshirë që është produkti i ujit”, tha Milva Ekonomi.
“Synimi politik i qeverisë për të cilin po punohet në mënyrë të konsiderueshme edhe me kreditë e marra është që uji i pijshëm të jetë një produkt i ofruar nëpërmjet tubacioneve dhe rrjetit tonë kudo në vend”, tha zëvendësministri Endrit Yzeiraj.
“Urdhëroni dhe shikoni pastërtinë e njërit (tregon ujin e çezmës) dhe pastërtinë e tjetrit (uji i shishes). Sot me këtë ujin këtu (të çezmës) as gatuan dhe as nuk pi kush”, tha Braçe.
6% do të jetë TVSH-ja edhe për furnizimin me shërbime si projektime apo studime në investimet për klubet sportive.
“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të punimeve të ndërtimit si dhe furnizimin e shërbimeve të projektimit, projektzbatimit, studimeve teknike, arkitekturës, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të lidhura drejtpërdrejtë këto me punimet të lidhura me investimet shtetërore të klubeve sportive, të federatave apo për investimet subjekteve private në infrastrukturën sportive të përcaktuar në legjislacionin e fushës për sportin të jetë në nivelin 6%”, tha deputeti i PS, Admir Kadeli.
Këto ndryshime që nuk gjetën mbështetjen e qeverisë, u aprovuan nga komisioni bashkë me votat e opozitës të Eno Bozdos dhe Edmond Haxhinastos.
Debatet nuk munguan as në ndryshimet që iu bën ligjit për akcizat, që parashikon rritjen e kësaj takse me 8.5 lekë për paketa nga viti i ardhshëm.
Deputeti i PS-së Erion Braçe tha se nuk duhet të përfshihen në këtë ligj produktet e duhanit elektronik si “snus apo qese me nikotinë”, pasi thotë se është i ndaluar me ligj.
“Fuqia e këtyre grupeve që tregtojnë duhanin në këtë vend qenka e paimagjinueshme sa detyron çdo institucion publik të këtij shteti që mos zbatohet ligji”, thotë Braçe.
“Pra Te kategoria T401 produktet e listuara nuk janë objekt i ndaluar ku përfshihen dhe qeset me nikotinë”, thotë përfaqësuesi i ministrisë.
“Turp i madh. Dogana e Republikës së Shqipërisë e kapur nga veshi tek veshi, turp të madh (godet tavolinën me grusht)”, tha Braçe.
Pas katër votimesh, një herë pro dhe një herë kundër këtij propozimi, në fund Komisioni vendosi që ti përjashtojë këto produkte nga akciza, pasi janë të ndaluara të futen në treg.
“Këtu jemi shtata deputetë të Partisë Socialiste që e miratojmë në tërësi ligjin për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, tha Ekonomi.
Komisioni i Ekonomisë miratoi edhe tre projektligjet e tjera të paketës fiskale atë të tatimit mbi të ardhurat që rrit dividendin nga 8 në 15%, dhe taton me 30% pagat mbi 700 mijë lekë në muaj. Projektligjin e taksave kombëtare, që vendos transferimin e taksës së qarkullimit nga karburanti tek taksat e mjetit si dhe ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore, që ashpërson masat ndaj bizneseve që nuk shlyejnë në kohë detyrimet e tyre.
Me 8 vota pro, Komisioni i Ekonomisë pranoi propozimin e deputetit socialist Erion Braçe për të hequr cigaret elektronike nga lista e produkteve që do t’i nënshtrohen akcizës.
Braçe kërkoi që qeskat me nikotinë dhe cigaret elektronike të mos përfshihen në akcizë, pasi sipas tij janë produkte të ndaluara me ligj në Shqipëri.
“Për sa kohë që ky produkt është i ndaluar të hyjë në vend, nuk mund të ketë akcizë. Qeset me nikotinë duhet të ikin nga akciza, nuk lejohen”, tha Braçe.
Braçe ngriti akuza edhe ndaj kompanive që i tregtojnë, duke pretenduar se ndikimi i tyre bën që institucionet të mos zbatojnë ligjin.
" Vetëm në këtë vend komsiderohet duahani me djegie ose thithje si të doni ju si zvendësues i duhanit natyral. Po të gjithë ata që kanë mend e konsiderojnë po aq të dëmshëm. Ajo që të bën të dalësh nga mendt është fuqia e këtyre kompanive që fusin në vend këtë produkt. E kemi ndaluar me ligj që të hyjë në vend dhe nuk ndodh, promovohet hapur. Fuqia e këtyre grupeve është e paimagjinueshme sa detyron institucionet të mos respektojnë ligjin. Këtë duhan po e përdorin edhe fëmijët në shkolla, se nuk i kontrollon dot zysha në shkollë" tha Braçe
Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri kundër duhanit, që parashikon kufizime edhe për cigaret elektronike dhe qeskat me nikotinë, përfshirë ndalimin e shitjes online.
Drafti parashikon edhe kufizime në reklamim dhe masa për të penguar aksesin e të miturve te këto produkte.

Ndryshimet në projektligjin “Për taksat kombëtare” parashikojnë përfshirjen edhe të motomjeteve në rritjen e taksës vjetore, si pasojë e kalimit të taksës së qarkullimit te mjeti.
Edhe automjetet hibride do të paguajnë taksë vjetore, njësoj si mjetet e tjera.
Ndërkohë, rritet nga 5% në 6% pjesa e të ardhurave vjetore nga taksa e mjeteve të përdorura që do t'u kalojë bashkive. Verifikimi i pagesës së kësaj takse do të vijojë të jetë detyrë e Policisë së Shtetit.
Komisioni i Ekonomisë miratoi me 8 vota pro projektligjin “Për taksat kombëtare”. Deputeti i opozitës Eno Bozdo u largua nga mbledhja, ndërsa Edmond Haxhinasto nuk mori pjesë në votim. Ndryshime pësoi edhe projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku u vendos që të mos tatohen të ardhurat nga pensionet apo përfitimet e tjera që marrin shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri. Edhe ky projektligj u miratua me 8 vota pro.






Komente
Komento