TIRANË- Për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pas propozimeve të ish- ministrit Ilir Beqaj qëndron kryeministri Edi Rama, për të testuar reagimet e opinionit publik. Në përgjigje të Beqajt, Bardhi shprehet se ky është një tregues se si Rama është i aftë për të bërë gjithçka vetëm për të mos prekë koncesionet dhe oligarkët, e ndërsa nuk i ka ndalur sulmet personale nga ish- ministrit.

"Hajduti Ilir Beqja, që ka hapur restorantin më të shtrenjtë të Tiranës për të pastruar paratë e vjedhura, propozoi që gropën e parave të vjedhura nga ai dhe Edi Rama ta mbushin duke ulur pensionet dhe rrogat e qytetarëve. Me këtë deklaratë publike të bashkëpunëtorit të tij, Edi Rama testoi a mund të marrë paratë nga pensionistët dhe rrogëtarët, në mënyrë që të mos prekë koncesionet dhe oligarkët.

Kur e pa që kjo ide ndezi reaksion publik, me një sjellje vulgare të paparë ndonjëherë mes politikanëve në botë, u kthye të bëjë kllounin, e përshtatshme për ordinerët dhe oligarkët injorantë me të cilët Rama rri, ha, pi e feston paratë që i vjedhin bashkë Shqipërisë.

Po! Unë nuk kam mend si hajduti Beqaj për të shpik koncesione sesi të vjedhë Edi Rama me bandën në pushtet! Nuk bëj dot estradë, si Edi Rama, kur shqiptarët janë pa bukë. Nuk bëj dot eksperimente me varfërinë e qytetarëve. Nuk e shes dot rritjen e taksave si favor për njerëzit, siç bën Edi Rama dhe kallauzi i tij Ilir Beqaj. Prindërit më kanë mësuar që këto quhen hajni", shkruan Bardhi.

Ulja e pagave të administratës dhe rishikimi i pensioneve, ndryshimi i sjelljes së bizneseve apo sigurimi i kontratave të qirave, ishin disa nga propozimet e ish- ministrit të Shëndetësisë, të cilat kanë sjellë reagime të ashpra, mes tyre edhe të mjekut Tritan Kalo.