Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, u ndal sot tek pema e ullirit, pema e jetëgjatësisë. Ai shpjegoi se si duhet të përzgjidhet vaji i ullirit, por edhe të përdoret në mënyrë sa më efikase.

“Vaji i ullirit sot është ndër produktet më të falsifikuara në treg. Është e vështirë të gjesh një vaj ulliri të mirë. Përziejnë kimikate, i shtohen vajra të tjerë me cilësi të ulët ose vajra bimorë, madje janë gjetur edhe pesticide. Shihni në etiketa varietetin, kur është vjelë, si është rritur, si është përpunuar dhe si është ruajtur. Tre varietetet më të mira janë vaji i Puglias, Kalinjoti shqiptar dhe vaji i Kretës, lloj varieteti i vajit të Kallamatës. Këto lloj vajrash kanë acidin oleik në nivele të mira”, u shpreh Joka.

Por si duhet ta dalloni vajin e cilësisë së mirë?

Nëse vaji ka aroma frutore, aromë bari ose bajame, si dhe ithtësinë dhe pickimin në gjuhë dhe në fyt, kjo tregon se vaji ka polifenole të mira.

Kur blini vaj në dyqan, shihni etiketën: a është ekstra i virgjër? Shihni datën e vjeljes, a është presuar në të ftohtë. Edhe kjo duhet parë me kujdes, ashtu si edhe çertifikimi i vajit.

“E rëndësishme është të shihni edhe shishen ku qëndron vaji. Ajo duhet të jetë e errët. Kujdes duhet të tregoni edhe tek aroma. Nëse vaji ka erë dylli, atëherë ai është oksiduar dhe nuk është i freskët”, shprehet Joka.

A është vaji më i mirë kur ka llum?

Turbullira ka polifenole, por ka problem se nuk jeton gjatë. Duhet të tregoni kujdes: mos e mbani afër sobës, jo në plastikë dhe jo në qelq të bardhë.

Skuqja me vaj ulliri

Polifenolet e vajit të ullirit nuk kanë një molekulë të vetme. Disa rezistojnë në temperaturë të lartë, disa jo. Temperatura nuk duhet ta kalojë 150 gradë gjatë skuqjes.

Përfitimet që marrim në organizëm nga ullinjte dhe vaji i ullirit

Shërben shumë mirë për mëlçinë, zorrën, sistemin nervor, memorien, për gjithë funksionin tonë; është një nga përbërësit më të mirë për organizmin.

Nëse e nisim ditën edhe me një lugë vaj ulliri, është shumë mirë. Grekët e lashtë dhe italianët hanin dy grushta ullinj në ditë, por nuk kanë pasur kurrë probleme me kapsllëkun. Ka njerëz që i ndihmon, ka që i dëmton sasia e tepërt, ndaj ata duhet të konsumojnë aq sa duhet. Por kujdes me kripën, sepse kur konservohen, ato janë me kripë. Nëse i përdorni në sallatë, mos i hidhni sallatës kripë.

Gjethet e ullirit

Gjethet e ullirit, në çaj ose si ekstrakt, ndikojnë në organizëm. Nxisin urinimin dhe përdoren tek ata që kanë probleme me tensionin, duke ulur tensionin e lartë. Ndikojnë tek sheqernat dhe yndyrnat në gjak. Ekstraktet e gjetheve përdoren edhe tek problemet me ftohjen ose mëlçinë.

Disa kombinime shumë të mira

·         Mjaltë me vaj ulliri dhe karafil: një përzierje shumë e mirë për problemet e mëlçisë.

·         Fik i thatë me vaj ulliri dhe mjaltë: për jashtëqitjen.

·         Për ftohjet e shpeshta dhe problemet me veshkat: përgatisni xhinxher, shafran, vaj ulliri dhe mjaltë.

·         Për problemet me sistemin nervor: është shumë i mirë përdorimi i trumzës apo sherebelës me vaj ulliri.

·         Për ftohjen: mund të përgatisni një masë për t’u fërkuar me spec dhe vaj ulliri.

·         Borzilok dhe vaj ulliri: një masë për azmatikët.