Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja ka kritikuar dje për herë të parë Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, se po zvarrit procesin e Vetingut. Manja u shpreh se gjatë dy viteve KPA ka marrë vetëm 70 vendime ose më pak se tre vendime në muaj. Këtë qëndrim Manja e artikuloi gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit të Ligjeve, ku u miratuan edhe 18 këshilltarë ligjorë dhe ekonomikë për organet e Vetingut.

“Ne do ta kalojmë këtë projektvendim, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të heshtim për punën e këtyre institucioneve. Në dy vjet kanë marrë 2.9 vendim në muaj. Nuk besoj se është mungesa e 6 apo 9 këshilltarëve që ka prodhuar këtë rendiment në punën e organeve të Vetingut. Në dy vite janë 140 apelime në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Janë dhënë 70 vendime, i bie gati 2.9 vendime në muaj. Unë uroj që me këtë shtesë në strukturë të rritet volumi i punës së KPA në drejtim të vendimmarrjes. Të mos harrojmë se janë lekë që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Dhe siç kemi të drejtën për të kërkuar mbështetjen e buxhetore për punonjës, e njëjta llogaridhënie duhet të jetë edhe për detyrat që keni marrë përsipër”, tha Manja.

Deputeti Bashkim Fino kundërshtoi kërkesa e organeve të Vetingut për ndryshimin e strukturës dhe zgjerimin e stafit. Fino reagoi ashpër pasi Komisioni i Ligjeve kishte rrëzuar kërkesa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë shqyrtimit të buxhetit, për staf shtesë dhe rritje të pagës për vështirësi. Megjithatë, Komisioni i Ekonomisë dhe qeveria i pranuan më pas pjesërisht kërkesa e KPK dhe KPA, duke rrëzuar Komisionin e Ligjeve. Sipas Finos dhe Manjën, Komisioni i Ekonomisë duhej të merrte parasysh argumentet e Komisionit të Ligjeve.

Ndërkaq, kërkesat e KPK dhe KPA u mbështetën sot nga deputeti Fatmir Xhafaj.

“Unë jam shumë dakord me të dyja kërkesat. Madje, që të jem i sinqertë, jam shumë dakord me kërkesat fillestare të tyre. Nuk arrij të kuptoj pse KPK-ja nuk ka kërkuar këshilltarë financiarë më parë, për shkak se një pjesë e volumit të tyre e zë ky aspekt”, tha Xhafaj.

Pavarësisht debateve, Komisioni i Ligjeve, pas vendimit të Komisionit të Ekonomisë, vendosi të shtojë 6 këshilltarë ligjorë dhe ekonomikë për KPA nga 9 që kishe kërkuar si dhe 12 këshilltarë ligjorë për KPK, aq sa kishte kërkuar. KPA dhe KPK kishin kërkuar edhe shtesa në pagë për vështirësi, kërkesë kjo që refuzua.

Relatoja e projektvendimit Klotilda Bushka tha se nevojat e tjera të KPA dhe KPK do të diktohen në të ardhmen. “Sa i përket kërkesës për ndryshime në kategorinë e pagave, është diskutuar po nuk është miratuar. Sot ajo që pranohet ka të bëjë me shtesë në strukturë vetëm punonjësve në njësinë e shërbimit ligjor. Nevojat e tjera do të diskutohen në të ardhmen sipas mundësive buxhetore”, tha Bushka.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë deri më sot 310 vendime, ndërsa mbeten edhe 500 gjyqtarë dhe prokurorë për t’u verifikuar. KPA shqyrton vendimet e KPK vetëm kur vihet në lëvizje nga vetë gjyqtarët dhe prokurorët ose edhe nga Komisioneri Publik. Në KPA janë ankimuar deri më sot 140 vendim. Kolegji është shprehur për gjysmën e tyre.