Unë dua të jem rome

Unë dua të jem rome
TIRANE- Këto ditë, edicionet informative janë ndezur e fikur duke folur për romët. 37 familje te pastreha rome kanë patur në sinkron ambasadorë, Avokatin e Popullit, OJQ të ndryshme, dhe pa dyshim median përkrah tyre.

Romët, janë një komunitet i veçantë për mënyrën sesi ata kanë ndërtuar filozofinë e jetës së tyre. Jetojnë në baraka, buzë lumit, vishen me fustanë me lule, të gjatë deri në fund të këmbëve (gratë) dhe bluza me ngjyra të forta e motive( burrat). Kur janë të vegjël, ata janë pothuaj lakuriq në verë, dhe shumë pak të veshur, në dimër. Shumë prej tyre, i njohim pasi i shohim shpesh në rrugët e Tiranës, duke lypur ose duke ofruar një shkumë xhamit të makinës që edhe kur e ke të sapo larë, duhet ti japësh ndonjë qindarkë, vetëm pse ta përlyejnë me një leckë të ndotur krejt. Nuk para nevrikosem, sepse ata janë një komunitet që gjithmonë i kam patur zili. Fëmijët më duken tepër të bukur, me sy jeshil e flokët kacurrela. Gratë janë elegante dhe sikur ti dërgosh në një Catwalk, s'do ketë bukuri më të rrallë!

Por nuk është aspekti fizik, që me josh tek ata lëkurë-çokollatët. Karma e jetës së tyre, është marramendja ime dhe gati më krijon, një status inferior. Ndërkohë që unë po shkoj në punë, e stresuar për ngjarjen e ditës, për një paqartësi me kolegun, për ato copat e akullit që të shtrojnë rivalët në rrugën tënde, pra në morinë e kumrive që këndojnë brenda kokës time, ajo gruaja me fustan me lule, sytë jeshilë të thellë dhe buzët e thara disi, flokët e oksiduar nga dielli buzë lanës, dhe gjiri gjysmë përjashtë, si një rozafë cigane, nuk ka asnjë dhimbje koke! Nuk ka shef, nuk ka një pronar, nuk ka kredi. Nuk ka thashetheme dhe konflikte të sajuar e intaçor. Ajo ka bërë dashuri gjatë natës dhe kërcen e këndon gjatë ditës.

Del e punon në Lanë dhe piqet në diell, e vërtetë! Por në mbrëmje nuk mendon për të kaluar në farmaci për qetësues. Me siguri, as që i ka rënë rasti të dëgjojë për depresionin, çrregullimet e ankthit, për sistemin e taksave, për masterin e lënë përgjysmë, për sherrin në KQZ, për vendimet e qeverisë në ikje dhe ambicjet e qeverisë në ardhje. Nuk njoh ndonjërën prej tyre, të ketë mbetur beqare dhe ta ketë zënë spondiliatroza, për shkak të qëndrimit në një karrige për shumë orë para kompjuterit, siç bëjnë gazetarët, bankierët, biznesmenët, të shumtët.

Janë të pastrehë, por janë po aq të palodhur, të pastres, të papërgjegjshëm, të papërfolur, të papërdalë, të paimagjinueshëm për ne të krahut këndej. Ne të përgjegjëshmit, të depresuarit, të lodhurit, të vetmuarit, të pamartuarit, të pabëritdashuri. Ne ndryshojmë shumë nga ata, jo nga veshjet e lara, nga makina që shkëlqen, nga puna e mirë, nga diplomat dhe certifikatat. Ne dallojmë, kryekëput! Jemi ata përsëmbrapshti dhe po tentojmë t'i bëjmë si vetja jonë. Kush e tha se të jesh si ne, Europian, qenka një shpëtim? Do vija bast se ata vetë, as që e kuptojnë dhe as do provonin të jetonin kështu. Sigurisht, që në asnjë çast nuk do mendoja se nuk kanë të njëjtat të drejta, por dua që Romët të mos përdoren.

Të mos gënjehen e mashtrohen sepse ata, dyshoj fort se nuk duan të jetojnë si ne. Sigurisht është një detyrim i madh i çdo vendi europian apo jo, të jetë njerëzor. T’ju jap tokë, ujë, strehë, t'i regjistrojë dhe në qoftë e mundur t’i nxisin drejt arsimimit. Por e para është mbijetesa, në mënyrën e tyre ama. Sepse ata janë dashnorët e dheut dhe të lumenjve, janë ciganët e dashurisë. Bëjnë dashuri, fëmijë dhe kërcejnë. Përtej lumit të tyre, është një planet tjetër me rregulla të çmendura! Atje ku bëhet dashuri me prezervativ, ku planifikohen fëmijët, ku abortohen fëmijët në emër të statusit social, të planifikimit familjar, ku bëhet pak seks i cili në të shumtën e rasteve të kthehet në thikë pas shpine, si mëkati më i madh. Të mendosh që mes tyre, ky është riti më natyral. Meqë ne nuk jemi dot si ata, t’i ndihmojmë të jetojnë mirë brenda botës së tyre.

Është diskriminuese t’i nxjerrësh ata nga tradita e tyre shekullore. Është si të nxjerrësh breshkën nga zhgualli i saj. Nuk mund të maten ata dhe NE, me të njëjtin kut. Është hipokrizi dhe pse jo Gjynah! Trajtimi i tyre duhet të jetë tërësisht brenda rregullave të tyre, përtej dhe buzë lumit.
 
Në vend të prologut po shkruaj një përrallë të lexuar në një nga librat e Paolo Coelhos shumë vite më parë:
 
Ishtë një zog i artë i cili çdo ditë ndalej në dritaren e një gruaje. Gruaja, u dashurua aq shumë me pendët e arta dhe cicërimën e zogut, sa vendosi një ditë me shoqet që t’i ndërtonte në kafaz dhe ta mbante gjithmonë zogun aty, pranë saj.
 
Për disa ditë gruaja ju tregonte bukurinë e shpendit shoqeve, dhe adhuronte të dashurin e saj në kafaz.
 
Me kalimin e kohës, gruaja u mësua dhe kujdesej vetëm ta ushqente.
Një ditë zogu ngordhi. Me siguri prej trishtimit!
 
Gruaja u dëshpërua dhe nisi të fliste vetëm për zogun e artë. Por, kur mendonte e rrëfente për të, ajo kurrë nuk përfytyronte zogun në kafaz, por atë shpendin me pendë të argjendta që vinte nga qiejt, nga pemët dhe më pas largohej drejt pafundësisë me fluturim.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501