“Nuk kam ndërmend që as në një moment si ky t’i lë pa përmendur transformimet e mëdha në dy sektorët që ministrja ka ndjekur përditë, pa ndaluar asnjë ditë”, tha Rama në fjalën e tij para kryesisë së PS duke renditur një sërë detyrash të kryera prej Ballukut. Përmes tyre, s’i kurseu as ca komente për opozitën duke i atribuuar një sërë projektesh të parealizuara e të mbetura “ëndrra në beze”.

“Gjatë këtyre 6 vjetëve, në vendin tonë janë ndërtuar e rindërtuar rreth 1000 km të rrjetit rrugor kombëtar, nuk llogaris rrjetin dytësor dhe tretësor sepse është në kompetencën e qeverisë e ministrisë, por bashkive dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. 40 kantierë janë të hapur në të gjithë vendin. Nga aksi Elbasan-Rrogozhinë që mbyllet në 2027, me ecuri mbi 60%, te Elbasan-Qafë Thana duke i vënë në dispozicion Shqipërisë, BE E NATO-s korridorin VIII që për 30 vjet u bllokua në Komisionin Europian nga të tjerë për të mos u klasifikuar si korridor i rrjetit europian të transportit dhe e zhbllokuam në samitin e BE me Ballkanin Perëndimor dhe është shpallur korridor sigurie për mobilitetin e forcave të NATO-s. Edhe Elbasan-Banjë, bajpasi i Fierit e i Vlorës, rrugë që numëroheshin me daulle, të cilat ishin vetëm gropa borxhesh e plagë të hapura rruge, sot janë vepra siç u krye Orikum-Dukati ku flitet për miliona e meleona të vjedhur, por të vetmit miliona e meleona janë ato të përfituara më tepër nga rritja  e fluksit të makinave drejt jugut. Palasë-Dhërmiu, Kardhiq-Delvina, e shumëpremtuar dhe ajo, edhe ajo në kalendarin imagjinar të ditëpunëziut. Korçë-Ersekë, Qukës-Qafë Plloça që na mbeti në kurriz bashkë. E nisëm krejt nga e para si projekt duke e bërë fytyrën shollë para investitorëve. Bajpasi i Tepelenës, Rruga e Arbrit, Thumanë-Kashari, dy ëndrra në beze kur thonë tironsit, ndërsa sot janë realitete me dobi të jashtëzakonshme. Apo Unaza e Madhe e Tiranës, këtë e llogaris te katrani i madh te ai inventari imagjinar i mijëra kilometrave, u bë realitet vetëm pasi iu qep ministrja duke qëruar oriz se në çdo 100 metra kishte një problem, jo shpronësimi i pabërë këtu, jo kanali atje, jo kabllot e nëndhenshme të RTSH-së më tutje, jo kolektori poshtë, jo lumi me klubin, jo lavazhi, jo dreqi me leje, jo i biri pa leje, jo ky me legalizim, ai në proces legalizimi, ata që s’luanin vendi, ata që s’hapnin rrugën se ishin me ata, jo dreqërit që nxisin protestat me bllokime, bam bariu e bam i biri, bum Falliu e bam i ati derisa u qëruan të tërë dhe u krye edhe Unaza e Madhe e Tiranës. Bulqizë-Martaneshi, Maqellarë-Peshkopia, Ura e Madhe e Kukësit, të gjitha të mbetura në havanë e premtimeve shumëvjeçare. Doli edhe Rruga e Kombit nga gryka e shishes, pa llogaritur peripecitë e tjera të saj. Janë në ndërtim Rruga e Ksamilit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, segmenti i bajpasit Vaqarr-Kashar, rruga Ndroq-Plepa, bajpasi i iSarandës, segmentet e Korridorit Blu janë të tëra në përgatitje kantieresh", tha Rama.


Lajmi kryesor:

PS nuk jep aprovim për arrestimin e Ballukut! Rama: SPAK të shterojë çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni, s’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori (VIDEO)