5-vjetori i tërmetit e gjen në kasolle të mbuluar me llamarina, 77-vjeçarin Vat Bregu në fshatin Torovicë të Lezhës. Banesa ku jetonte i moshuari bashkë me 4 pjesetaret e familjes u bë e pabanueshme nga lëkundjet e forta sizmike të 26-nëntorit të vitit 2019-të. Shteti vendosi ta shembe per ti ti hapur rrugë rindërtimit, por prej asaj kohe asgjë nuk ka ndryshuar.
Vat Bregu jeton me djalin e sëmurë me epilepsi, nusen e djalit, nipin e mbesën. Pas termetit, djali me familjen u zhvendos në qytetin e Lezhës në shtëpi me qira, ndërsa i moshuari qendroi në fshat për t’u kujdesur për tokat. Ai thotë se jetesa për ta është e vështirë, pasi i biri vuan nga epilepsia dhe mbesa e sëmurë, ndaj kërkon nga shteti t'i ndërtojë shtëpinë e re.
“Unë po shkoj 80-vjeç dhe nesër mund të vdes, s’kam ku e lë djalin, nusen e djalit dhe dy fëmijët. Jemi në pikë të hallit se djali 52 vjec nuk punon është sëmurë me epilepsi”, tha Vat Bregu, banor i Torovicës.
Teksa tregon vështiresitë që po përballet nga jetesa në kasolle sidomos në dimër, i moshuari thotë se askush nuk i jep përgjigje në lidhje me rindërtimin e shtëpisë, ndërsa vuan nga disa semundje. Përmes Report tv ai apelon për ndihmë:
“Unë shkoj atje (në bashki) dhe askush nuk më jep përgjigje. Kur ka ardhur kryeministri Rama në Shëngjin, kam shkuar atje, e kam ndjekur pas, i kam kërkuar shtëpinë e re”, tha ai.
Bashkia e Lezhës thotë se familja Bregu trajtohet me bonus qiraje me vlerë 20 mijë lek në muaj, ndërsa proçesi i rindërtimit për 41 banesa individuale përfshire dhe këtë rast eshte pezulluar për shkak të rritjes së kostos për materialet e ndërtimit. Bashkia e Lezhës i është drejtuar zyrtarisht me shkresa Qeverisë por nuk kanë marrë përgjigje për alokimin e fondeve. Po kështu ka mbetur pa ndërtuar dhe një pallat me 12 apartamente në qytet.