Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri ka edhe dy raunde nga fundi i këtij sezoni. Fundjavën e shkuar Skënderbeu dhe Laçi siguruan ngjitjen direkte në Superligë, ndërsa KF Pogradeci dështoi për të marrë një biletë direkte, teksa një gjë të tillë mund ta bëjë nga faza play-off.
Humbja 2-0 kundër Laçit ka bërë që klima në klubin liqenor mos jetë e qetë, ndërsa pjesëtarët më të lartë të ekipit janë përplasur mes tyre. Mediet lokale bëjnë me dije se në mbledhjen pas humbjes në Laç, ku do analizohej takimi, ndodhi një përplasje e ashpër mes trajnerit Emiliano Çela dhe kapitenit Vangjel Zguro.
Ky i fundit iu drejtur trajnerit duke i thënë: 'Unë të solla këtu', teksa kaq ka mjaftuar që tonet të ashpërsoheshin deri në pezullimin pa afat të kapitenit.
KF Pogradeci e ka siguruar zonën play-off në Kategorinë e Parë dhe do kërkojë finalen kundër vendit të tetë të renditur në Superligë, por klima në klubin buzë liqenit nuk duket shumë e mirë në sprintin final të sezonit.
Komente










