UNESCO, Kumbaro lobon pro
Kosovës në Paris, Lavror: Shkelje

UNESCO, Kumbaro lobon pro<br />Kosovës në Paris, Lavror: Shkelje
E hëna do të shënojë një ditë historike për Kosovën, pasi në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, në Paris do të kërkohen dy të tretat e votave për anëtarësimin e shtetit kosovar. Dy ditë përpara vendimit, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e cila mori pjesë në Konferencën për “ 70-vjetorin e krijimit të UNESCO-s” kërkoi vëmendje për anëtarësimin e Kosovës.

“Anëtarësimi i Kosovës në Unesco, është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar. Kosova me historinë, popullin, monumentet dhe kulturën e saj, ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit. Të gjithë shtetet e tjera të rajonit janë anëtare të UNESCO-s dhe do te ishte absurde, madje dhe qesharake, që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë edhe formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin e kulturës dhe arsimit, ndërkohë që Kosova është pjesë e saj prej lidhjes së saj organike dhe historike. Kultura nuk njeh kufij adiministrativë. Kultura nuk mbrohet duke përjashtuar tjetrin, përkundrazi, ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO-s”, tha Kumbaro.
 
Në mbyllje të fjalës ministrja ftoi Serbinë të tregojë shpirtin e saj bashkëpunues dhe të shohë drejt të ardhmes. “Ftojmë Serbinë ta kapë këtë mundësi për të dëshmuar se ka një shpirt bashkëpunues dhe të drejtë në raport me angazhimet e marra, të shkëpusë lidhjet me një të shkuar të errët dhe të shohë drejt një të ardhme europiane tek e cila serbët dhe shqiptarët duhet të shkojnë sëbashku. Ky është thelbi i historisë dhe kjo do të jetë, pa asnjë dyshim, dhe një nga fitoret e shumta dhe të matura të kulturës.”- deklaroi ministrja.

 Por nga ana tjetër ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u shpreh kundër përdorimit të UNESCO-s si mjet për të legjitimuar “shtetin e vetëshpallur të Kosovës” . 

"Me gjithë vështirësitë e jetës politike ndërkombëtare, është e rëndësishme shmangja e politizimit në aktivitetet e UNESKO-s, ku ne aktualisht jemi dëshmitarë në lidhje me përpjekjet për t'i hapur rrugën anëtarësimit të Kosovës, në shkelje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Lavrov.

Për ambasadorin serb në Rusi Sllavenko Terzic, fakti i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është dëshmi e një krize të thellë të të drejtës ndërkombëtare, një krizë e botës së sotme.

Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përkrahu kërkesën e Shqipërisë dhe i rekomandoi Konferencës së Përgjithshme futjen e çështjes së pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s nisi të martën, 3 nëntor 2015 dhe do të zgjasë 2 javë. Në mesin e shumë çështjeve do të konsiderohet edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës. Deri më tani konferenca ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 kanë njohur Kosovën e 84 ende jo.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Në Bunk’Art2 hapet dhoma e manipulimeve: Për herë të parë tregohet lidhja mes iluzioneve optike dhe propagandës komuniste

Në Bunk’Art2 hapet dhoma e manipulimeve: Për herë të parë tregohet lidhja mes iluzioneve optike dhe propagandës komuniste