TIRANE-  Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka kërkuar rritjen e çmimit të biletës urbane gjatë konferencës Kombëtare të transportit Qytetas në një tryezë diskutimi. Ervin Shijaku, kryetar i Shoqatës kombëtare të transportit Qytetas  u shpreh se prej dy vjetësh është kërkuar një rritje e çmimit të biletës në shkresat drejtuar pushteteve qëndrore dhe vendore.

Zotiu Shijaku tha se “Kërkohet të përmirësohen kushtet, të rritet shërbimi ndaj qytetarëve, por ndërkohë çmimi ka mbetur po ai i pesë viteve më parë pavarësisht se kushtet kanë ndryshuar.  Aktualissht ne kemi një çmim bilete shumë të ulët në krahasim me normën e investimit që është kryer nga të gjithë operatorët”- deklaroj Shijaku . Një tjetër shqetësim i ngritur nga Shoqata është subvencionimi shtetëror për kategoritë që përfitijnë transport publik falas. Zëvendësministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Ylli Manjani i pranishëm në këtë konferencë  thotë se për sa kohë bëhet fjalë për një shërbim publik, nevojitet një konsultim më i gjerë për të gjetur një zgjidhje. Ndër të tjera ai tha se nuk është vetëm çështje çmimi dhe standardi, por çështje reagimi publik dhe çështje trajtimi i shtresave të caktuara dhe në fund fare duhet të kemi parasysh një gjë, që ky është një aktivitet publik, për të cilin ju na ndihmoni për ta kryer këtë shërbim", -tha Manjani.

E pranishme në konferencën kombëtare të transportit qytetas, Drejtoresha e Transportit në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha i ka kërkuar qeverisë të subvencionojë operatorët e transportit publik ose të parashikojë lehtësira të tjera për operatorët, duke përjashtuar qytetarët nga rritja e çmimit të biletës dhe duke ja përcjellë këtë faturim qeverisë. Zonja Hoxha ka parashtruar edhe masat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, për t’u ofruar qytetarëve një shërbim të shtuar dhe të përmirësuar të transportit publik. Ajo bëri me dije se Bashkia e Tiranës është e njohur me problematikat që hasin sot operatorët, lidhur me gjendjen e vështirë ekonomike që vjen si rezultat i rritjes së çmimit të karburantit.

“Për vetë rëndësinë që ka transporti publik, si dhe duke u bazuar edhe në eksperiencat europiane, ka ardhur momenti që shteti të mbartë pjesën e tij të përgjegjësisë, duke subvencionuar këtë shërbim dhe duke aplikuar politika lehtësuese për operatorët e transportit publik, pa shkuar tek prekja e çmimit aktual të biletës” u shpreh zonja Hoxha. Aktualisht çmimi i biletës së transportit në linjat publike është 30 lekë. Tarifa e abonesë mujore është 1200 lekë dhe tarifat për studentët janë me gjysmë çmimi. Veteranët e luftës, personat me kemp dhe disa kategori të tjera përfitojnë shërbim falas në linjat private. Operatorët kanë kërkuar disa herë rritjen e çmimit. Bashkia ka mbuluar kostot shtetsë deri më tani, por propozimi i fundit kërkon që koston financiare ta mbajë Qeveria për subvencionimin.
 
 Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)