Prokuroria e posaçme i ka përcjellë Interpolit dosjen ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për shpalljen e tij në kërkim ndërkombnëtar me tri akuza për çështjen e incineratorëve të Fierit dhe Elbasanit. Veprimi i SPAK, erdhi pasi policia e shtetit, u dorëzoi prokurorëve një raport ku informon se ekzekutimi i vendimit të gjykatës për masën arrest me burg në mungesë ka qenë i pamundur brenda vendit pasi ish-ministri i financave nuk është gjetur në 12 qarqe. Më 19 korrik prokuroria i dorëzoi policisë për ekzekutim vendimin e gjyqtarit Erion Bani që caktoi masën “arrest me burg” në mungesë ndaj Arben Ahmetajt, për akuzat korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale dhe fshehje e mosdeklarim pasurie.

Menjëherë policia ushtroi kontrolle në disa banesa në Tiranë e Durrës dhe shpërndau të dhënat e Ahmetajt në pikat kufitare. Pas kërkimit të tij brenda vendit, policia i ktheu përgjigje prokurorisë duke theksuar se ish-zv.kryeministri nuk është gjetur brenda territorit të Shqipërisë dhe SPAK, nuk ka vonuar t`ja përcjellë dosjen interpolit për shpalljen në kërkim ndërkombëtar. Më 14 korrik, Parlamenti miratoi me 117 vota, kërkesën e prokurorëve për masën e arrestit ndaj Ahmetajt dhe kontrollin e banesës. Po atë ditë, avokati i tij Henrik Ligori u shfaq para kamerave në dyert e SPAK, duke deklaruar se klienti i tij ndodhej në Angli pranë familjes.

Ahmetaj ndodhet në Angli pranë vajzës dhe familjes së tij, do kthehet kur të ketë lirinë.

Me kërkesë të SPAK, Interpol Tirana përcjell dosjen e Arben Ahmetajt në zyrat qendrore të organizatës në Lion të Francës. Pjesë e dosjes, janë të dhënat personale të ish-zv.kryeministrit, emri, atësia, mbiemri, datëlindja, kombësia dhe shtetësia, fotot e tij, përshkrimi fizik, gjurmët e gishtave, relacioni i SPAK me faktet e akuzës dhe provat kryesore dhe vendimi i GJKKO për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij arrest me burg në mungesë. Zyra qendrore e Interpolit shpall më pas në kërkim Ahmetajnt në 194 shtet anëtare të cilave u kërkohet arrestimi i tij për t`ia dorëzuar Shqipërisë për tu përballur me akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas SPAK, Ahmetaj ka përfituar prona dhe shuma monetare në 6 raste nga biznesmenët, në këmbim të përfshirjes së tyre në aktivitetin e incineratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Shumat e përfituara, sipas prokurorisë, janë kthyer në prona, konkretisht dy vila në Hamallaj dhe Palasë, të sekuestruara pak muaj më parë nga GJKKO me urdhër të SPAK, edhe pse ishin në pronësi përkatësit të Erjola Hoxhës, partneres aktuale të Ahmetajt dhe ish-gruas së tij Albina Mançka.

Më 18 korrik prokuroria ushtroi kontroll në 7 banesak u gjeti dhe sekuestroi dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB etj të cilët po i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. Gjykata ka vendosur edhe masën e sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro).

Vilat dhe apartamentet, sipas SPAK janë përfituar përmes procedurave fiktive të kalimit të tyre nga personat e tretë tek ish gruaja e Ahmetajt Albina Mançka dhe partnerja aktuale Erjola Hoxha. Ndërkohë në gjkko në seancën e radhës për incineratorin e Fierit, avokatët e Klodian Zotos dhe Lefter Kokës kërkuan më tepër kohë për të bërë mbrojtjen. Seanca e radhës u caktua më 6 shtator ku do parashtrohen argumentat e mbrojtjes për disa prej të pandehurve. Gjykata vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit, pasi shkak për shtyrjen e bë mos përgatitja e tyre. Mbrohtësit ligjorë u paralajmëruan se do të ketë masa, nëse nuk do jenë gati edhe në seancën tjetër për të paraqitur konkluzionet.