Urdhri i Ahmetajt: Brenda datës 31 dhjetor 2018, të largohen nga zonat e banuara kazinotë (LETRA)
Arben Ahmetaj i kërkon Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit të zbatojë ligjin për zhvendosjen e kazinove jashtë qendrave të banuara sipas afatit të paracaktuar në ligj si dhe të raportojë çdo javë për numrin e subjekteve që zhvendosen.
Afati për zhvendosjen e kazinove nga zonat e banuara është 31 dhjetori i këtij viti. Zyrtarisht, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj i ka kërkuar përmes një letre, Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, të nisë punën për zhvendosjen e salloneve të kumarit jashtë qyteteve.
Në letrën e kreut të Financave të cilën e ka siguruar Report Tv, theksohet se "ligji për lojërat e fatit parashikon se, brenda datës 31 dhjetor 2018, të gjitha kazinotë elektronike duhet të zhvendosen jashtë qendrave të banuara, ndërsa pikat e basteve duhet të kenë një distancë minimale 100 metra nga institucionet fetare dhe shkollat".
Letra e Ahmetajt për Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit
Ahmetaj i kërkon Autoritetit të zbatojë ligjin dhe të mbikëqyrë me korrektësi zhvendosjen e kazinove jashtë qendrave të banuara sipas afatit të paracaktuar në ligj si dhe të raportojë çdo javë për numrin e subjekteve që zhvendosen.
Duke pasur në konsideratë sensibilitetin e këtij procesi dhe rëndësinë e zbatimit me sukses të tij, Autoriteti i Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit të ndjekë e të mbikëqyrë me imtësi procesin, me qëllim respektimin me rigorozitet të kërkesave dhe afateve ligjore. Në zbatim të detyrimeve ligjore, të merren të gjitha masat për përmbushjen e detyrimeve nga subjektet e Lojërave të Fatit dhe të raportohet në terma javorë mbi ecurinë e procesit.
Qeveria ( ligji ) duhet te te mbroj qytetaret nga mashtruesit. Ndalimi i teresishem do te ishte me mire.
Përgjigju