TIRANË, 1 Dhjetor/ATSH/.- Projektligji "Për Urdhrin e Punonjësit Social" i miratuar të hënën nga komisioni parlamentar i Shëndetësisë përcakton kriteret bazë për të gjithë ata që duan të ushtrojnë këtë profesion.
Nënkryetarja e komisionit Klodiana Spahiu paraqiti disa nga ndryshimet e realizuara në draft, krahasuar me variantin fillestar të propozuar nga qeveria dhe që lidhen kryesisht me kushtet për anëtarësimin në Urdhrin e Punonjësit Social.
Sipas këtyre ndryshimeve asnjë individ nuk mund ta ushtrojë profesionin e punonjësit social në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit dhe pa qenë i pajisur me licencën për ushtrimin individual të këtij profesioni, të lëshuar nga ky organizëm.
Po ashtu, asnjë individ nuk mund ta ushtrojë profesionin pa qenë i regjistruar në regjistrin e posaçëm. "Janë anëtarë të Urdhrit të punonjësit social, të gjithë ata punonjës që përmbushin kriteret e mëposhtme: të jenë shtetas shqiptarë; të kenë diplomën e punonjësit social; kërkesa minimale për formimin dhe kualifikimin profesional të punonjësit social, si dhe të zotërojnë një diplomë në fushën e shkencave sociale, brenda ose jashtë vendit", sqaroi nënkryetarja e komisionit.
Për kategori të ndryshme të kualifikimit të punonjësve sociale, tha ajo, kriteret përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe propozohen nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale.
Ndër këto kritere përfshihen që të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për një vepër penale apo kundërvajtje penale me dashje, si dhe të njohin e të zotohen me shkrim se do të zbatojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi, statusit, kodit të etikës dhe dentologjisë për punonjësit social.
Pas miratimit në tërësi projektligji i kaloi për shqyrtim seancës plenare të Kuvendit të ditës së enjte. /a.s/f.n/