Ndërsa ndiqja Marsela Çibukajn dhe Bujar Kapexhiun në nderimin dhe prezantimin e Festivalit të famshëm XI, në sallën e Bunk'Art1, ndërsa shijoja gërmë për gërmë, fjalë për fjalë, fjali për fjali atë që thonin, hodha sytë përreth për të parë të tjerë, spektatorë si unë. Të gjithë të përqëndruar, duke shijuar një spektakël të vërtetë, me artistë të vërtetë, me muzikë të vërtetë, me tekste të vërteta, me Art të vërtetë dhe mendova: në Shqipëri ka nevojë pikërisht për këtë: Për njerëz të vërtetë.
Kështu na ndodhi dhe me inxhinieren Luljeta Bozo. Të gjithë si shqiptarë u mahnitëm me fjalët e një inxhiniereje, me thjeshtësinë e saj, me kompetencën e saj, me butësinë dhe vërtetësinë e saj. Me logjikën e saj.
Çfarë kemi ngritur dhe kemi vënë në piedestal deri më tani? Kush merr skenën e publikes dhe të krijimtarisë në përgjithësi? Bujar Kapexhiu, me modestinë dhe zemërgjerësinë e tij tha: "Nuk ka gjë, në botë ka vend për të gjithë"... pra edhe për antivlerat? Ndoshta, por mendoj vetëm në një masë të tolerueshme dhe balancuese me vlerat, ndryshe, nëse antivlerat marrin shumicën apo gjithçka, nuk rrihet më në atë "shtëpi", ose të paktën, nuk ka vend për të bukurën dhe të mirën.
Antivlerat krijojnë një ankth dhe energji negative të vazhdueshme. Vijnë në fillim tinëz pasi habisin me paturpësinë e tyre, marrin vëmendje dhe audiencë; antivlerat janë të paparashikueshme, nuk ndjekin logjikën dhe për këtë arsye marrin shumë shpërndarje, klikime, por lëshojnë dalëngadalë një helm vdekjeprurës për individë dhe për shoqëri.
Shqiptarët e kanë mes tyre vlerën, të bukurën dhe logjikën. Kompozitori Agim Krajka, i tërhequr pasi nuk arrin të kompozojë dot tallavanë që "e kërkon koha e publiku", nga e njëjta skenë tha: Jemi vendi më i varfër në Europë, por kemi folklorin më të bukur. Nga pogonishtja jonë e gjallë dhe ritmike u frymëzua për të bërë të bukurën "Kafe Flora" që i kushtoi 10 vite përjashtim nga krijimtaria në kohën e diktaturës, po ç'mund të themi për kostumet tona, për rilindësit tanë e për finesën dhe bukurinë e shpirtit të tyre? Justina Aliaj, kaq përfshirëse e me zërin e saj të veçantë e të thellë i bën thirrje thjeshtësisë si vlerë: Nuk del asnjëherë nga moda. Në skenën e Bunk'Art1 u ngjitën artistë të mrekullueshëm më të vjetër dhe të rinj: Liljana Kondakçi, Bashkim Alibali, Luan Zhegu, Kozma Dushi, Kejsi Tola, Bledi Polena, Vitmar Basha, duke na treguar se është shumë bukur kur bëhen bashkë vlerat.
Ndoshta, në këtë 2020 që po troket, të gjithë ne shqiptarët kemi nevojë të ndjekim e të kërkojmë të mirën e të bukurën, në radhë të parë mes nesh. Ndoshta kështu do të gjejmë rrugën e duhur për t'u përmirësuar e paqtuar.