Shoqëria shqiptare është e helmuar dhe e papërmbushur më shumë nga injoranca sesa nga varfëria. Varfëria mund të kufizojë mundësitë materiale të njeriut, por injoranca shkatërron aftësinë për të menduar, për të krijuar dhe për të respektuar tjetrin. Ajo ushqen urrejtjen, sepse njeriu që nuk arrin të ndërtojë vetveten, përpiqet të rrëzojë të tjerët.

Mjafton të dëgjosh gjuhën që përdoret në parlament, në media, në institucione të ashtuquajtura të kulturës dhe pastaj të zbresësh në bulevardin e flamingove dhe rrjetet sociale. Aty dëgjon një gjuhë urrejtjeje pa asnjë shkak racional, vetëm sepse dikush mendon ndryshe nga “robespierët me qeleshe”, “kromuellët me çallma”, “bonapartët me brekushe” apo “mozartët me tupana e daulle”, që e reduktojnë identitetin shqiptar në sloganin folklorik: “O sa mirë me qenë shqiptar!”

Burimi i kësaj urrejtjeje është injoranca dhe mungesa e përmbushjes së vetvetes. Pasuria, në vetvete, nuk e bën njeriun të lumtur. Aq më pak kur është produkt i allishverisheve dhe pazareve. Pasuria pa moral nuk e përmbush njeriun; përkundrazi, shpesh e shkatërron karakterin e tij.

Përmbushja vjen nga puna krijuese, nga ndërtimi i një vepre, nga ndjenja se je duke lënë një gjurmë në shoqëri. Kam njohur biznesmenë në Shqipëri që, edhe sikur të ndalonin së punuari sot, nuk do të kishin nevojë të punonin as katër breza pas tyre. Megjithatë nuk janë as tafmaqarë, as vanitozë. Përkundrazi, bëjnë bamirësi, krijojnë vende pune dhe vazhdojnë të punojnë me të njëjtin pasion, sikur ta kishin ende bukën e gojës për të fituar. Sepse nuk i mban në lëvizje paraja, por kënaqësia që u jep krijimi.

Po aq të lumtur kam njohur edhe njerëz pa pasuri. Bohemë që jetojnë me pikturën, poezinë, një roman të mirë, operën, jazz-in, blues-in apo rock ‘n’ roll-in. Ata nuk kanë nevojë të urrejnë askënd për t’u ndjerë të plotësuar. Arti dhe kultura e çlirojnë njeriun nga komplekset, nuk e burgosin brenda tyre.

Konflikti i sotëm nuk është thjesht politik. Ai është përplasja mes atyre që kërkojnë të hapen ndaj dijes dhe qytetërimit dhe atyre që, nga frika, komplekset e inferioritetit dhe izolimi mendor, refuzojnë çdo gjë që nuk e kuptojnë. Kur njeriu nuk arrin të pranojë vetveten, e ka të pamundur të pranojë edhe tjetrin.

Kjo shpjegon pse në rrjetet sociale dhe në jetën publike dëgjon gjithnjë e më pak argumente dhe gjithnjë e më shumë sharje. Fjalori reduktohet në pak dhjetëra fjalë: mallkime, kërcënime, banalitet dhe dhunë verbale. Nuk debatohet më me ide, por me instinkte.

Filozofi Baruch Spinoza shkruante: “Urrejtja shtohet duke u kthyer me urrejtje, por shuhet me dashuri.” Kur një shoqëri humbet aftësinë për të dialoguar, urrejtja bëhet mënyrë jetese dhe jo më një reagim i përkohshëm.

Paradoksi është se shumë prej këtyre njerëzve paraqiten si antikomunistë, por në mënyrën e të menduarit ngjasojnë me fanatizmin e atyre që dikur shkatërruan inteligjencën shqiptare. Ndryshojnë sloganet dhe simbolet, por jo mendësia. Urrejtja ndaj njerëzve që krijojnë, që punojnë dhe që kanë sukses mbetet e njëjtë.

Kur sheh profilet e tyre në xhami apo kisha, duke u lutur për Muhamedin apo Krishtin, nuk mund të mos mendosh se feja është shndërruar në një identitet formal, ndërsa zemra mbetet e mbushur me mllef. As Kristi dhe as Muhamedi nuk predikuan urrejtjen. Talibanizmi dhe Inkuizicioni i kushtuan botës dete gjaku me urrejtjen. Urrejtja lind nga frustrimi, nga mungesa e dijes dhe nga pamundësia për të gjetur paqe me vetveten.

Më shqetësues është fakti se kjo gjuhë ushqehet edhe nga një pjesë e të ashtuquajturave elita intelektuale, të financuara nga krimi ekonomik dhe mediatik, të cilat flasin për padrejtësi sociale nga pushimet në vende ekzotike dhe e matin patriotizmin me flamurin që valëvisin sipas interesit të ditës.

Problemi më i madh i Shqipërisë nuk është varfëria. Vendet e varfra mund të zhvillohen. Por një shoqëri e pushtuar nga injoranca dhe urrejtja e ka shumë më të vështirë të ndërtojë institucione, kulturë dhe besim.

Bertrand Russell thoshte: “Problemi i botës është se budallenjtë janë plot siguri, ndërsa njerëzit e mençur janë plot dyshime.” Kur injoranca bashkohet me arrogancën, lind fanatizmi. Dhe fanatizmi nuk krijon qytetërim; ai krijon vetëm armiq.

Urrejtja ndaj njerëzve të suksesshëm nuk është kritikë sociale. Shpesh ajo është pasqyra më e qartë e mosrealizimit personal. Njeriu që ka ndërtuar jetën e tij nuk ka kohë të numërojë sukseset e tjetrit. Ai frymëzohet prej tyre ose ndjek rrugën e vet. Vetëm ai që nuk ka ndërtuar asgjë përpiqet të rrëzojë atë që kanë ndërtuar të tjerët.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë urrejtje. Ka nevojë për më shumë dije, më shumë kulturë, më shumë punë krijuese dhe më shumë njerëz që e masin vlerën e tyre me atë që ndërtojnë, jo me atë që shkatërrojnë. Sepse njeriu i përmbushur nuk ka nevojë të urrejë; ai ka nevojë vetëm të krijojë./TemA