TIRANË - Që sot, qytetarët që i drejtohen Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin për shërbime dhe informacion, shërbehen në një hapësirë moderne të ngritur dhe pajisur nga projekti i USAID-it në drejtësi. Drejtori i USAID-it në Shqipëri, Marcus Johnson, mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të saj të organizuar në gjykatë.
Kjo hapësirë moderne mishëron standardet bashkëkohore përsa i përket ofrimit të shërbimeve për publikun. Në të qytetarët mund të marrin shërbimet dhe informacionin që u nevojitet, në mënyrë transparente dhe të besueshme, ndërkohë që personeli i gjykatës për marrëdhëniet me publikun mund të kryejë punën e tij me më shumë lehtësi dhe efikasitet.
USAID përuron një hapësirë të re moderne në Gjykatën Kurbin
Kjo është e treta hapësirë e informimit publik që projekti i USAID-it ka rinovuar në gjykatat në Shqipëri. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, USAID ka instaluar dhe teknologjinë e regjistrimit digjital në sallat e gjyqit, si dhe ka mundësuar funksionimin e një kalendari elektronik të administrimit të seancave gjyqësore, në mënyrë që të rritet numri i seancave të zhvilluara në sallat e gjyqit. /ATSh/