Përfaqësuesja e Misionit të USAID/Albania, Catherine Johnson dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti morën pjesë në një takim biznes-me-biznes të organizuar në vazhdën e Projektit Rajonal të USAID për Rritjen Ekonomike, “Mbështetje për Përmbushjen e Certifikimeve dhe Standardeve Kryesore në Bujqësi”.

Në fjalën e saj, përfaqësuesja e Misionit të USAID/Albania, Catherine Johnson foli për problematikat e hasura në sigurinë ushqimore dhe tha se ky sektor është një pjesë jetësore e ekonomisë së Shqipërisë. 

"Këto janë ngjarje që ndodhin kur siguria jonë ushqimore është në rrezik. Këto ngjarje ndodhin kudo. Kjo ndodhi në SHBA me mishin, me luleshtrydhet etj, por të gjitha frutat dhe perimet e freskëta janë të rrezikuara nga lëndë të dëmshme dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të ketë certifikime të veçanta për produktet, në mënyrë që puna e mirë që është bërë për t’i rritur e prodhuar të mos rrezikohet”, tha Catherine Johnson.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panarit theksoi rëndësinë e certifikimit të agrobizneseve dhe përmbushjes së standardeve, të cilat qeveria e Shqipërisë i konsideron thelbësore.

“Ky aktivitet bzines-me-biznes që bashkon kompani, agrobiznese të certifikuara dhe përfaqësuesit e rrjeteve kryesore të supermarketeve në Shqipëri, është shumë i rëndësishëm sepse këto certifikime çelin mundësinë e hyrjes së produkteve të markës shqiptare, jo vetëm në rrjetet e supermarketeve shqiptare, por edhe në tregje të reja. Qëllimi ynë është që të pakësojmë importin e produkteve bujqësore dhe të promovojnë prodhimet vendase”, u shpreh Edmond Panariti.

Falë këtij aktiviteti, 17 prodhues shqiptarë të ushqimit dhe disa kompani maqedonase patën mundësinë të takoheshin drejtpërdrejtë me përfaqësues dhe administratorë të disa prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në Shqipëri, me objektiv lehtësimin e rritjes së tregtisë mes tyre.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com