DURRËS- Altin Ndoci, ushtari i grupit të Çopjave, ndodhet ende në arrati prej dy ditësh, çka bëri që të shtyhet edhe seanca e gjyqit për Plumbin e Artë. Grupi hetimor i ngritur menjëherë pas kësaj ngjarje, ende nuk ka asnjë gjurmë nga Ndoci, i cili arriti të arratisej në mënyrë spektakolare nga ambientet e spitalit të Durrësit. E gjithë skema e organizuar nga Ndoci për arratisjen tregon se ishte një plan i mirëmenduar dhe grupi hetimor tashmë po punon për të gjetur se kush janë përgjegjësit dhe personat që e ndihmuan të vinte në jetë planin e arratisjes. As dyshimet se mund të jetë ndihmuar nga persona brenda burgut nuk përjashtohen nga grupi hetimor.
Report Tv ka mësuar përmes burimeve se është sekuestruar i gjithë dokumentacionin në ngarkim të Altin Ndocit, i cili përfshin të gjithë dokumentet të cilat nisin që në momentin e dërgimit të urdhrit të transferimit të tij në mjediset e burgut të Durrësit në maj 2020 deri ditën e arratisjes nga spitali rajonal i këtij qyteti. Prokuroria e Durrësit po heton se si një i paraburgosur me rrezikshmëri të lartë si Ndoci, i vendos në Burgun e Durrësit dhe jo në një burg të sigurisë së lartë.
Në filtër do të kalojë edhe i gjithë dokumentacioni i tij shëndetësor, pra kartela ku janë dokumentuar shkaqet e dërgimit të tij për vizita mjekësore që nga viti 2020 deri më dt.13 janar 2026, kur mjeku i burgut rekomandoi një vizitë në repartin e Infektivit në spitalin e Durrësit, nga ku vuri në jetë edhe planin e arratisjes. Po ashtu, do të kalohen në sitë edhe vizitat e tij në burgun e Durrësit, kush janë personat e fundit që e kanë takuar, telefonatat që ka zhvilluar së fundmi nga qelia etj.
Report Tv mësoi se është sekuestruar edhe libri i instruktazhit të personelit shoqërues cili kryhet për çdo ditë me personelin shoqërues, ku përfshihen njohja me masat e sigurisë që duhen zbatuar, marrja e pajimeve sipas rregullores, kontrolli teknik i armatimit personal, mënyra e veprimit kur i shoqëruari nuk respekton rregullat etj. Po ashtu është sekuestruar edhe praktika e njoftimeve me Policinë e Rendit sa herë që shoqërohen të burgosur apo të paraburgosur në spitalin rajonal të Durrësit.
Sot Ndoci duhej të ishte në gjyqin për Plumbin e Artë, por mungesa e tij për shkak të arratisjes bëri që të dështojë seanca. GJKKO lexoi shkresën e Burgjeve ku thuhej se Ndoci nuk mund të shoqërohej pasi është në arrati, ndërsa avokati kërkoi që shkresa për njoftimin e Ndocit për gjyqin t'i shkojë edhe në shtëpi. Seanca u shty më datë 20 janar, ndërsa GJKKO tha se njoftimi i Ndocit duhet të bëhet përmes Policisë së Durrësit dhe Lezhës.
“Duke marrë në shqyrtim mungesën e këtij të pandehuri, Altin Ndocit, për arratisjen e tij. Në kushtet e pamundësisë për ta shoqëruar në seancën e sotme Gjykata, vlerësohet që gjykata të përsëris njoftimin për të pandehurin me anë të Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, DVP Durrës, DVP Lezhë dhe për të marrë një konfirmim për paraqitjen apo jo një mundësie për të ardhur në këtë gjykim. Gjykata shtyn seancën me datën 20 Janar në orën 10:00”, u shpreh trupa Gjykuese.
Altin Ndoci është dërguar për gjykim nga SPAK një herë në vitin 2023 për vrasjen e dhjetorit 2019 ndaj Andi Zylyfit dhe më pas në tetor 2025 me organizatën kriminale të Çopjave. Në dosjen e Plumbit të Artë, Ndoci akuzohet nga Nuredin Dumani si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit në 2019-ën në Peqin. Ndërsa nga Alibej, 38-vjeçari Ndoci akuzohet se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit me 3 tre vrarë në dhjetor të 2018-ës. Në këtë ngjarje mbeti i ekzekutuar edhe vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Endrit Alibej.
Seanca e radhës e dosjes “Plumbi i Artë” është shtyrë për datën 20 janar me vendim të trupës gjykuese të GJKKO-së. Shkak është bërë arratisja e të pandehurit dy ditë më parë Altin Ndoci nga spitali i Durrësit.
“Duke marrë në shqyrtim mungesën e këtij të pandehuri, Altin Ndocit, për arratisjen e tij. Në kushtet e pamundësisë për ta shoqëruar në seancë e sotme Gjykata, vlerësohet që gjykata të përsërisë njoftimin për të pandehurin me anë të Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, DVP Durrës, DVP Lezhë dhe për të marrë një konfirmim për paraqitjen apo jo një mundësie për të ardhur në këtë gjykim. Gjykata shtyn seancën me datën 20 Janar në orën 10:00”, thuhet në arsyetimin e vendimit të GJKKO-së.
Aldo Shkëmbi, një prej avokatëve mbrojtës të Altin Ndocit, për mediat sqaroi anën proceduriale për shtyrjen e seancës ku shkak fillestar është bërë arratisja e të pandehurit Ndoci.
Shkëmbi thotë se ende nuk ka një deklaratë që Altin Ndoci po i fshihet apo jo drejtësisë, duhet të kryet sipas proceduave njoftimi për mbajtjen e seancës që më pas të vijohet me gjykimin në mungesë. Ndër të tjera, Shkëmbi mohoni që të ketë pasur kontakt me Altin Shkëmbin pas arratisjes, qoftë një takim apo një telefonatë.
“Në mungesë deklaratë nga vetë i pandehuri dhe për të respektuar dhe parashikimet ligjore për njoftimin e të pandehurit në rast kur është i kufizuar, kur nuk gjendet apo kur është i lirë. Duhet të deklarohet fakti nëse i fshihet ose jo drejtësisë, që më pas të vazhdojë gjykimi në mungesë.
Kemi pasur marrëdhënie formale dhe profesionale. Nuk kemi pasur as takim fizik dhe as telefonik”, tha avokati.
Në nisje të procesit gjyqësor, gjykata ka lexuar shkresën e burgjeve: Altin Ndoci nuk mund të shoqërohet pasi është arratisur dhe është person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
Në këtë moment, njëri prej avokatëve të Ndocit, Aldo Shkëmbi i ka kërkuar gjykatës për të dërguar sipas procedurës njoftimin për mbajtjen e seancës dhe tek banesa e të pandehurit, pasi mund të ndodhet dhe atje, situatë për të cilën askush nuk ka dijeni.
“I kërkojmë gjykatës t’i dërgojë kërkesë policisë për të bërë njoftimin sipas procedurës, sepse Altin Ndoci mund të jete edhe në banesën e tij, në këtë nuk e dimë”, tha avokati Shkëmbi.
Në përgjigje të kësaj, prokurori i SPAK Behar Dibra, është shprehur se: Nëse Ndoci ka pasur dijeni për këtë seancë para arratisjes, nuk përbën shkak për moszhvillimin e seancës, duke pasur parasysh se vetëm 1 herë që është paraqitur në këtë proces.
Komente











