Nga spitali i Durrësit me Audi A7 drejt Tiranës për t’u zhdukur më pas si pluhuri në erë. Nuk është skenar filmi, por itinerari sesi Altin Ndoci ia doli të arratisej nga burgu i Durrësit duke ia dalë të kërkonte konsultë me mjekun e burgut që më pas rekomandoi një kirurg. Gjatë kohës që kryente vizitën, i paraburgosuri me rrezikshmëri të lartë sulmoi dy policët që e shoqëronin dhe ia mbathi pa lënë gjurmë.

38-vjeçari Ndoci ka ndjekur një itinerar të tillë, të cilin Report TV e sjell përmes një ilustrimi të qartë: Pasi ka dalë nga Spitali i Durrësit, është larguar me një automjet tip “Audi A7”, duke kaluar fillimisht në zonën e Spitallës, më pas është shfaqur në Shënavlash, ka vijuar në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë. Arratisja ka ndodhur mesditën e së martës nga spitali i Durrësit.

Avokati Romeo Kara shprehet në “Studio Live” në Report TV se gjithçka ka qenë e parapërgatitur dhe është komprometuar stafi mjekësor.

“Unë dyshoj që është e parapërgatitur me thjeshtësi dhe saktësi. Vetë rruga paska qenë në formë L-je, madje as 1 km s’duhet të jetë.  Është komprometuar pjesa e stafit mjekësor në burg që ka rekomanduar vajtjen në spital, nëse ka pasur një manipulim, fillon që aty, pastaj flasim për pjesën tjetër që nuk ka zbatuar procedurën”, u shpreh avokati.

Prokuroria e Durrësit ka marrë sot në pyetje mjekun Naim Mediu, kirurg i përgjithshëm, i cili ka bërë kontrollin mjekësor të të burgosurit. Kara hedh dyshime mbi gjendjen shëndetësore të Ndocit: “Nga mënyra si vraponte, s‘kishte ndonjë problem me shëndetin. Ai duket mirë, besoj do të ketë bërë stërvitje”, tha ai.

Avokati Kara mendon se arrestimi dhe pezullimi i 8 zyrtarëve nga burgu i Durrësit për arratisjen e Altin Ndocit, është e papranueshme. Ai thotë se zinxhiri mund të pezullohej, por jo të shkarkohej. Kara shprehet se një person me rrezikshmëri kaq të lartë do të tentonte t’ia mbathte në rastin më të parë, kurse protokolli nuk është zbatuar.

“Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për të tjerë jashtë meje, mund të pezullohet zinxhiri, jo shkarkoji të gjithë. Pa pranga po, pa pranga te këmbët po. Ai me 4-5 vrasje në kurriz, ai edhe te penxherja ta afrosh, do të rrezikojë. Nuk e di si mund të justifikohen ata për këtë veprim që kanë bërë, qoftë edhe pakujdesi është vepër penale. E dyta, a ka protokolle? Ka. Pse s’janë ndjekur protokollet? Ju keni evidentuar vetëm një rast, që policia e zonës duhet të ishte atje. Hajde ta arrestosh tani, e ka provuar burgun nuk kthehet më. Pakujdesia e agallarëve që nuk bëjnë punën e tyre apo e pazareve?”, tha Kara.

Ai theksoi se duhet të përgjigjen personat që kanë kryer vepra penale. Në rast se vërtetohet se ka qenë bashkëpunim, thotë se është krim i organizuar.

“Nëse është vërtetuar që i gjithë zinxhiri ka marrë pjesë, ky është krim i organizuar pastaj dhe hyn në të tjera kallëpe. Nëse nuk është, pse duhet të paguaj atë që bën kolegu im? Përgjegjësia është individuale. Kush ka konsumuar vepër penale, të përgjigjet. Nuk funksionon shteti me mllef”, u shpreh Kara.

Në fund, avokati thotë se duhet të shihen komunikimet e Ndocit, ku pikë kyçe janë ato me personelin në burg.

“Komunikimet duhet të shihen më përpara. Mund të jenë ndaluar komunikimet javën e fundit, por besoj kanë qenë deri në javën e fundit. Si ka komunikuar, direkt apo indirekt me personelin e burgut? Si ka rënë dakord për të shkuar atje. Pika kyçe është pse ka shkuar atje? Si e justifikojnë ata? Ai njeri s’kishte asnjë problem fizik. Si e ka marrë vizën për të dalë?”, përmbylli ai.

 

P.J/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 2 Shkurt, 13:24

    A e mbështesni kërkesën e gjyqtarëve për rritje page?