TIRANË- Komisioni parlamentar i Medias vijoi edhe sot me procedurat për plotësimin e vendeve vakante të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).
Nënkryetari i komisionit, Alfred Peza, bëri të ditur se mbledhjet e sotme anëtarët vendosën të përjashtojnë nga gara për postin e anëtarit të AMA-s, kandidatin Feti Zeneli dhe kandidaten Edlira Çaushi.
Në mbledhjen e sotme Peza i kërkoi sërish deputetëve të opozitës që të bëhen pjesë e këtij procesi, i cili synon të nxjerrë nga ngërçi disavjeçar Autoritetin e Mediave Audiovizive.
Ai tha se deputetët e mazhorancës do të ushtrojnë detyrën e tyre ligjore, duke bërë përzgjedhjen e anëtarëve sipas formulës, me të cilën është rënë dakord edhe me opozitën. Pritet që ditën e premte, komisioni i Medias të përzgjedhë emrat e anëtarëve të AMA-s, të cilët më pas do të kalojnë për miratim në parlament. /ATSh/