Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, pedagogia e ekonomikut Matilda Shehu dhe ish shefi ekonomik në departamentin e kërkimit në BSH, pedagogu Selami Xhepa janë tre kandidatët e vetë ofruar për tu bërë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që kanë marrë edhe mbështetjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. 

Report TV mëson se vendimi është marrë në mbledhjen e grupit të PS këtë të hënë, i cili ka vënë si kriter përzgjedhës, mos rinovimin e mandatit për ish anëtarët e Këshillit Mbikqyrës që ishin përfshirë në garë. Një zgjedhje që ka lënë automatikisht jashtë garës, mes të tjerëve, dhe Luljeta Minxhozin, e cila u emërua anëtare në vitin 2018, dhe ka mbajtur edhe postin e zëvendësguvernatores së parë të Bankës së Shqipërisë.

Aktualisht janë 6 vakanca në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, por Kuvendi ka shpallur 3 vakanca, ndërsa 3 propozime për vakancat e tjera do të bëhen nga qeveria.

Për 3 vakancat e Kuvendit u vetëofruan 20 kandidatë, nga të cilët përzgjidhen vetëm tre. Ndërsa qeveria deri më tani ka propozuar ish ministrin e financave Ervin Meten dhe Jonida Prifti që vjen nga sektori bankar. Mbetet edhe një kandidat për tu propozuar nga qeveria, të cilët më pas do të miratohen në Kuvend.