Të gjithë turistët, vendas e të huaj, të cilët po e vizitojnë këtë perlë të turizmit malor në vend, po shohim imazhe të mrekullueshme të kësaj vjeshte që kanë shndërruar biodiversitetin në një atraksion për të gjithë adhuruesit e bukurive natyrore malore.
Por nga ana tjetër, vendasit vijojnë të mbeten fanatikë të ruajtjes së kësaj pasurie natyrore duke ndërtuar jo me beton, por me dru, ndërtime karakteristike të zonës që flasin për historinë por edhe përkujdesjen që ata tregojnë për ruajtjen e kësaj mrekullie natyrore.
Në këto ditë vjeshte, temperaturat janë ulur ndjeshëm në Valbonë, duke sjellë në malet rreth saj edhe mjegullën e cila paralajmëron se dëbora është në prag dhe kjo luginë bëhet akoma më tërheqëse kur gjithçka të mbulohet prej saj.
Lugina e Valbonës të ofron jo pak, por 8 mijë hektarë Park Kombëtar dhe është e pasur me varitete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm.
Ajo ka një klimë malore me dimër të ashpër, me reshje të dendura shiu e bore, me temperatura të ulëta dhe periudhë të gjatë me ngrica dhe erëra. Temperatura mesatare në Dragobi është 10,7 gradë: e janarit 0,3 gradë dhe ajo e korrikut 20,4 gradë. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra.
Po përse investitorët privatë kanë arritur të marrin leje për ndërtimin e Hidrocentraleve në këtë zonë dhe tanimë i kanë filluar punimet?
Ekspertët e fushës, ndonëse e kanë kundërshtuar një fakt të tillë, qeveria Berisha e dha lejen për ndërtimin e tyre dhe nuk mori parasysh kundërshtimet, ndonëse kohët e fundit ish-Kryeministri Sali Bersha pranoi se ishte gabim dhënia e tyre.
Kompanitë private duket se i kanë studiuar mirë prurjet që vijnë nga zona në fjalë për të siguruar sa më shumë prodhim energjie e në proporcion të drejtë edhe të ardhura të përfituara prej saj.
Përafërsisht, reshjet në Valbonë i kalojnë 2082 milimetra, ndërsa lartësia maksimale e dëborës shkon deri në 224 centimetra me mesatare 94 centimetra.
Burimet e saj gjenden në rrëzë të shpatit lindor e qafës me të njëjtin emër, ku ushqehet me burime karstike në lartësinë 1450 m.
Nën ujëvarën e pragut të Valbonës, ujërat e këtyre burimeve zhduken nën zhavorre deri në hyrje të Rragamit. Nga ky fshat deri në atë të Valbonës (Selimaj) është 7 kilometra. Sipërfaqja e ujit mungon gjatë verës për shkak të natyrës karstike. Në sektorin e poshtëm, ndanë kalimit në pellgun e Tropojës, Valbona merr degët e rëndësishme, që janë lumi i Gashit (në Shoshan) dhe atë të Bushtricës (Bujan), që e pasurojnë atë më tej.
Prurja në Dragobi dhe Gri është respektivisht 12.2 m kub në sek dhe 33.3 metra kub në sekondë. Prurjet maksimale janë në maj dhe lidhen me shkrirjen e borës, kurse prurjet minimale janë 3.7 metra kub në sekondë dhe 11 metra kub në sekondë. Prurjet janë më të mëdha në vjeshtë.
[gallery]19014[/gallery]
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)