Valentina Leskaj në KiE: Serbia
nuk po e ndihmon dialogun

Valentina Leskaj në KiE: Serbia<br />nuk po e ndihmon dialogun
Në Asamblenë e Këshillit të Evropës, nënkryetarja e parlamentit shqiptar, Valentina Leskaj tha se sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk i shërben frymës së dialogut dhe progresit të rajonit.

"Mirëpres vendimin e Asamblesë për miratimin e delegacionit të Kosovës në Këshillin e Europës. Ndërkohë dëshiroj të them se Kosova ka bërë progres në plotësimin e rekomandimeve të rezolutës 2094 të KiE, ka bërë progres në ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, në koordinimin e veprimtarisë së institucioneve ligjzbatuese, për sundimin e ligjit, ngritjen e Gjykatës Speciale etj.

Kosova ka shprehur angazhim serioz në  vazhdimin e negociatave me Serbinë nën kujdesin e BE. Të bllokosh situatën nga njëra pale siç po bën këtu pala serbe,  nuk e ndihmon dialogun.

Gjuha e ndarjes, e përjashtimit të tjetrit nuk ndihmon. Kjo nuk është gjuha e Këshillit të Europës. Nga ana tjetër, unë besoj se kjo situate ku vetëm njëra pale mund të flasë, nuk është e mirë për Kosovën, nuk është e mirë për Serbinë dhe nuk është e mirë për gjithë rajonin. Dhe besoj nuk është e mirë as për ne këtu në Asamblenë e Këshillit të Evropës”
, tha Leskaj.

Ndërkohë, parlamentarët europianë kanë diskutuar në Strasburg progres-raportin vjetor për nëntë vendet anëtare nën monitorim, ndër to edhe Shqipëria. Në rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës theksohet se miratimi i amendamenteve kushtetuese ka hapur rrugën për një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse të gjyqësorit shqiptar në mënyrë që të sigurohet paanësia dhe pavarësia nga influenca dhe presioni kryesisht politik.

Reporterët Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly kanë vënë në dukje se zbatimi praktik i reformës në drejtësi dhe në veçanti i Vettingut, rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë mbetet kusht edhe në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Reforma në Gjyqësor shihet si kontribuuesi kryesor në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Klima e tensionuar politike vijon në Shqipëri. Është me rëndësi që të arrihet konsensus mes të gjithë faktorëve politikë për reformën elektorale në mënyrë që të gjejnë zgjidhje problematikat e shfaqura në zgjedhjet e kaluara, mbi bazën e rekomandimeve që ka dhënë Komisioni i Venecias dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës”, thuhet në raport.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Protestë në aksin Thumanë- Kashar, banorët kërkojnë hyrje dhe dalje për zonat e tyre! Policia ndërhyn për t'i larguar nga rruga! Hidhet gaz lotsjellës

Protestë në aksin Thumanë- Kashar, banorët kërkojnë hyrje dhe dalje për zonat e tyre! Policia ndërhyn për t'i larguar nga rruga! Hidhet gaz lotsjellës