Paketat e ndërmarra nga qeveria për të mbështetur sipërmarrjen dhe qytetarët gjatë muajve të karantinës, por edhe pas daljes nga izolimi kanë dhënë kontribut pozitiv në parandalimin e rritjes së varfërisë. Po ashtu edhe shpenzimet për rindërtimin e vendit kanë ndikuar në mbajtjen në kontroll të varfërisë.
“Varfëria vlerësohet (me 5.5 USD në ditë) të jetë rritur në vitin 2020 me 1%. Masat e reagimit përfshirë rritjen e përfitimeve të ndihmës sociale, subvencionin e pagës, garanci kredie për lehtësimin e pagesave të pagave dhe kapitalit qarkullues, vlerësohet se kanë parandaluar edhe më tej rritjen e varfërisë me rreth 1.7%”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Normalizimi global i ekonomisë do të ketë ndikim të rëndësishëm në format e rimëkëmbjes edhe në Shqipëri. Turizmi edhe pse është një nga sektorët më të goditur nga pandemia, do të ketë ndikim të madh në rritjen ekonomike të këtij viti sipas raportit të BB. Më tej në analizë thuhet se sektori i shërbimeve do jetë i kufizuar nëse vaksinimi nuk shpërndahet në botë. Ndërkohë rindërtimi i vendit do të ndikojë shumë në rritjen e konsumit.
“Turizmi dhe udhëtimet ka të ngjarë të mbesin të kufizuara derisa të bëhet shtrirja globale e vaksinimit. Në këtë skenar, PBB parashikohet të rritet me 4.4 përqind në vitin 2021. Sektori i shërbimeve, i udhëhequr nga turizmi dhe ndërtimi priten të jenë pjesërisht nxitësit kryesorë të rimëkëmbjes në sajë të investimeve në rindërtim. Varfëria pritet të bjerë në përputhje me rimëkëmbjen me rreth 2%. Në vitet në vijim, konsumi privat do të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në rritje, mbështetur nga përpjekjet e rindërtimit”, thuhet ndër të tjera në raport.
Banka Botërore i qëndron vlerësimit të saj për një recesion ekonomik në nivelin e 4.7%, pavarësisht se të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave raportojnë se rënia në 2020 ishte vetëm 3.3%.