Më 16 dhjetor, një takim mes ministres së Jashtme Elisa Spiropali dhe atij grek Giorgos Gerapetritis në Athinë, pritet të hapë një tjetër derë të re bashkëpunimi mes dy vende fqinje. Mediat greke raportojnë për përqendrim të diskutimeve mbi ‘çështjen e detit’, përcaktimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive, një dosje ende e pazgjidhur mes dy vendeve.

Për të diskutuar më tej për këtë çështje, në një lidhje direke për Report Tv në studion e ‘Sot, Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, i ftuar ishte Fatos Malaj, analist, aktivist dhe gjithashtu ish-kandidat për deputet për partinë PASOK në Greqi.

Malaj thotë se sot marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje janë në një pozicion shumë të mirë, ndërsa thotë se ende nuk ka një agjendë që përcakton çështjet që do të diskutohen mes dy diplomatëve më 16 dhjetor.

“Dua të them që marrëdhëniet shqiptaro-greke janë në pozicionin më të mirë si ato ekonomike dhe në fushat e tjera. Kjo për faktin se brenda këtij viti në Greqi kanë ardhur dy ministrja shqiptarë që janë takuar me homologët. Në qershor erdhi ministri Hasani dhe për herë të dytë vjen dhe ministrja Spiropali.

Sipas burimeve të palës greke, nuk ka akoma një agjendë të saktë për çfarë do të flitet, nuk ka dalë akoma që do të flasin për problemet, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE apo për problemin e detit. Nga burimet, përveç homologut të Spiropalit, ajo do të ketë një takim dhe me presidentin grek dhe me diplomatë të Be-së këtu në Greqi, me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe me përfaqësues të dhomës së biznesit në Greqi”, tha Malaj.

I pyetur për mbështetjen që Greqia do t’i japë Shqipërisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Malaj tha se Greqi ndër vite ka deklaruar që të përkrahë rrugëtimin e Shqipërisë gjithashtu dhe partitë opozitare.

“Greqia ka deklaruar gjatë këtyre viteve që do të jetë krah dhe sigurisht dhe një nga faktorët që përkrah hyrjen e Shqipërinë në Be. Është një shtet fqinj që përkrah Shqipërinë drejt BE-së. Dhe partitë opozitare janë në të njëjtën linjë, pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha analisti.

Një tjetër çështje që pritet të marrë zgjidhje, është dakordësimi i pensioneve për shqiptarët, të cilët për vite kanë punuar ne Greqi e tashmë të rikthyer në atdheun e tyre, vitet e punës në shtetin fqinj nuk i njihen. Malaj thotë se kjo është një çështje në përfundim të bisedimeve dhe së shpejti do të arrihet me një dakordësi.

“Po të marrim dhe çështjen e pensioneve të emigrantëve, janë drejt përfundimit të një bashkëpunimi për këtë çështje. Pritet së shpejti që t’i  japin fund kësaj marrëveshje, siç ndodhi me Italinë. Marrëveshja është drejt përfundimit. Në këtë marrëveshje bëhet fjalë për të gjithë emigrantët që një periudhë të caktuar kanë punuar në Greqi. Do të jetë pension plotësues që do t’i bashkëngjitet pensionit që këta emigrantë të larguar nga Greqia marrin në Shqipëri”, tha Fatos Malaj.