Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja u ndal te variçet, një problem që prek një numër të madh njerëzish dhe që ndikon jo vetëm në pamjen estetike, por edhe në cilësinë e jetës.

Gjatë bisedës, Merja shpjegoi se si formohen variçet, cilët janë faktorët që favorizojnë shfaqjen e tyre, simptomat kryesore dhe mënyrat natyrale për t’i trajtuar dhe mbajtur nën kontroll.

“Variçet janë vena të zgjeruara, të fryra dhe të përdredhura, të cilat zakonisht shfaqen në këmbë dhe kofshë. Ato krijohen kur valvulat e venave dobësohen ose dëmtohen, duke penguar kthimin normal të gjakut drejt zemrës. Si pasojë, gjaku grumbullohet në vena, rrit presionin mbi to dhe shkakton zgjerimin e tyre”, shpjegon specialisti.

Shkaktarët dhe faktorët që favorizojnë variçet

Sipas Merjas, disa nga faktorët kryesorë që rrisin rrezikun për zhvillimin e variçeve janë:

  • Gjinia femërore, për shkak të ndikimit të hormoneve estrogjen dhe progesteron.
  • Shtatzënia, e cila rrit vëllimin e gjakut dhe ushtron më shumë presion mbi venat e legenit.
  • Qëndrimi për periudha të gjata në këmbë ose ulur.
  • Mbipesha dhe obeziteti, të cilat shtojnë presionin mbi venat e këmbëve.
  • Mungesa e aktivitetit fizik, pasi ecja dhe ushtrimet ndihmojnë qarkullimin venoz.
  • Tensioni i lartë venoz dhe sëmundjet e sistemit venoz, përfshirë trombozat.
  • Kapsllëku kronik, i cili rrit presionin brenda barkut dhe pengon qarkullimin venoz.
  • Trashëgimia gjenetike.
  • Mosha, pasi me kalimin e viteve valvulat venoze konsumohen gradualisht.

Simptomat dhe komplikacionet

Sipas specialistit, simptomat më të zakonshme të variçeve janë ndjesia e rëndesës në këmbë, ënjtja e këmbëve dhe kyçeve, dhimbja ose djegia, kruarja rreth venave, ngërçet gjatë natës, lodhja e këmbëve, si dhe shfaqja e venave me ngjyrë blu ose vjollcë.

“Nëse variçet nuk trajtohen në kohë, përveç dhimbjeve dhe shqetësimeve të përditshme, ato mund të çojnë në komplikacione më serioze si edema kronike, dermatiti venoz, ulçerat venoze dhe deri te tromboza”, paralajmëron Merja.

Ai thekson se trajtimi i hershëm jep rezultate më të mira dhe ndihmon në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes.

Trajtimi natyral i variçeve

Për lehtësimin e simptomave dhe përmirësimin e qarkullimit venoz, Merja rekomandon:

  • Zhytjen e këmbëve në ujë të ftohtë për 10-15 minuta.
  • Lyerjen e këmbëve me ekstrakt trupi dhe më pas aplikimin e vajit ose kremit Reumer.
  • Masazhimin e këmbëve për 10-15 minuta, me lëvizje nga shputat drejt kofshëve.
  • Konsumimin e 2-3 gotave çaj Venomer gjatë ditës.

Gjithashtu, ai këshillon një regjim ushqimor të pasur me fruta si boronicat, rrushi i zi, aronia, manaferrat, shega dhe agrumet, si dhe perime si lakra e kuqe, brokoli, karota dhe spinaqi. Burime të mira të Omega-3, si vaji i lirit, salmoni dhe arrat, ndihmojnë gjithashtu në mbështetjen e shëndetit të enëve të gjakut.

Sipas specialistit, bimë të tilla si gështenja e egër, hardhia e kuqe dhe rusku janë ndër më të rekomanduarat për forcimin e mureve të venave, uljen e ënjtjes, përmirësimin e qarkullimit venoz dhe lehtësimin e simptomave të variçeve. Këshillohet një çaj kombinuar me këto bimë 1-2 filxhanë në ditë.

Këshilla për parandalimin e variçeve

Merja thekson se kujdesi i përditshëm është thelbësor për mbajtjen nën kontroll të variçeve. Ai rekomandon:

  • Ecje të paktën 30-40 minuta çdo ditë.
  • Ngritjen e këmbëve gjatë pushimit.
  • Konsumimin e mjaftueshëm të ujit.
  • Mbajtjen nën kontroll të peshës trupore.
  • Një ushqyerje të pasur me fruta dhe perime.
  • Shmangien e qëndrimit për periudha të gjata në këmbë ose ulur.

“Sa më herët të ndërhyhet, aq më të mira janë rezultatet. Variçet nuk duhen neglizhuar, pasi trajtimi në kohë ndihmon në ruajtjen e shëndetit të venave dhe parandalimin e komplikacioneve”, përfundon specialisti i bimëve mjekësore, Ylli Merja

 

Shënim i redaksisë: Kurat natyrale janë ndihmëse dhe nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor në rastet kur simptomat përkeqësohen. Konsultohuni gjithmonë me mjekun, sidomos personat me sëmundje kronike.